Basha me Varhelyi: PD, e vendosur për ta vazhduar betejën për ndryshim dhe demokraci

WhatsApp Image 2021 05 05 at 13.05.42 600x338
Basha varhely me maske pa maske

Kryetari i PD, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me Komisionerin e BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Mësohet se në qendër të takimit ishte procesi i zgjedhjeve të 25 prillit.

Në deklaratën e PD-së theksohet se Basha e njohu komisionierin me “manipulimet masive që i janë bërë procesit zgjedhor, përmes shitblerjes së votës, përdorimit të personave me precedentë kriminalë, përdorimit të paligjshëm të administratës, vjedhjes dhe përdorimit kriminal të të dhënave personale të shtetasve nga PS-ja, përdorimit të paligjshëm, masiv dhe sistematik të parave të buxhetit të shtetit për tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve, si dhe përdorimin e legalizimeve për vota”.

“Fushata e tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve u drejtua nga kupola drejtuese qeveritare në bashkëpunim nga persona që janë nën hetim për bashkëpunim me krimin e organizuar, dhe personave në listën e zezë të SHBA-së, fëmijë dhe të afërm të personave që u nxorën jashtë nga ligji i dekriminalizimit janë tashmë pjesë e listës së deputetëve të PS”, mësohet se ka thënë Basha.

PD dhe kandidatët e saj, bëri të ditur zoti Basha, kanë depozituar në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve rreth 180 kallëzime për të cilat nuk ka pasur asnjë veprim ndalues apo parandalues edhe pse ato janë depozituar muaj para datës së zgjedhjeve.

“Policia e shtetit në shumë raste është përfshirë në mbrojtjen e kontingjenteve të blerjes së votës si dhe ka fshehur, tjetërsuar dhe manipuluar fakte flagrante ku persona me precedentë janë përfshirë në operacionin kriminal të blerjes së votave dhe shantazhimit të votuesve. Basha shprehu vendosmërinë e tij dhe të Partisë Demokratike për të vazhduar betejën për ndryshim dhe për të kthyer demokracinë në Shqipëri”, theksohet në deklaratën e PD-së.