Bima që po “pushton” Britaninë vjen nga… Japonia

Një bimë e egër me origjinë nga Japonia po përhapet me shpejtësi në Britaninë e Madhe. Bima mund të shkatërrojë çimenton, tullat e llaçin dhe për këtë shkak ka ndikuar në uljen me të paktën 10% të vlerës së shtëpive.

Kompania “Environet” ka shpërndarë një hartë interaktive të zonave më të goditura nga kjo bimë. Zona veriperëndimore e Anglisë është më e prekur.

Kjo hartë është menduar t’u vijë në ndihmë personave që kërkojnë të blejnë shtëpi për të parë se sa e prekur është zona nga bima japoneze.

Bima është jashtëzakonisht e vështirë për t’u zhdukur, me rrënjët e saj që shkojnë shumë thellë, ndërsa është e aftë të ngjitet përmes mureve të betonit. Bari i egër nuk zhvillohet gjatë dimrit, ndërsa nis rritjen gjatë pranverës, duke arritur kulmin e saj gjatë stinës së nxehtë të verës. Midis majit dhe korrikut ajo rritet deri në 10 centimetra në ditë.

Mendohet se për herë të parë, kjo lloj bime është sjellë në kopshtin botanik mbretëror, Kew, në vitin e largët 1840 për lulet e saj të bukura, por që prej asaj periudhe ajo ka nisur të pushtojë ishullin.

Autoritetet kanë vlerësuar se zhdukja e kësaj bime, edhe pse është shumë e vështirë, mund të kushtojë deri në 1,5 miliardë paund.