Formula 1, spektatorët kthehen në Çmimin e Madh në Monako

Kthehen tifozët në një prej eventeve më të mëdha sportive në nivel botëror. Çmimi i Madh i Monaco, gara e pestë sezonale në Formula 1 do të zhvillohet me praninë e spektatorëve. Autoritetet vendase kanë dhënë dritën jeshile që gara të zhvillohet me prezencën e 7500 personave në tribuna.

Gjatë provave të lira të së enjtes, sesioneve kualifikuese të së shtunës dhe garës që do të zhvillohet të dielën e 23 majit në rrugët e Principatës, dyert e pistës do të jenë të hapura për spektatorët. 7500 të pranishmit do të plotësojnë vetëm një kusht: Ata duhet të kenë kryer testin anti-covid të paktën 72 orë përpara eventit dhe duhet të paraqesin dokumentin që nuk janë të infektuar.

Autoritetet në Montecarlo kanë bërë të ditur që nuk do të ketë kufizime përsa i takon kombësisë së personave në publik.

Gjithashtu, për datën 21 maj, që është ditë e lirë, janë programuar disa evente të ndryshme në cirkuit, por numri i spektatorëve do të jetë i kufizuar, në vetëm 3000 të tillë.

Dy garat e fundit në Formula 1, në Imola dhe Portimao, janë zhvilluar pa praninë e publikut në tribuna. Çmimi i Madh numër 78-të në Monako do të zhvillohet nga data 20 deri më 23 maj. Sezonin e kaluar kjo garë u anulua, për shkak të kufizimeve prej situatës pandemike.