Integrimi i Shqipërisë në BE, Varhelyi: Pas apelimit të zgjedhjeve, Kuvendi të nisë punën

Gjatë vizitës në Shqipëri, ku solli dhe një sasi vaksinash Pfizer kundër koronavirusit, Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi komentoi zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe kontestimet e opozitës.

Sipas komisionerit të BE-së, procesi zgjedhor tashmë ka hyrë në fazën e ankimimit dhe tashmë duhen rezultate të qarta sa më shpejt për të mundësuar çuarjen para të procesit të integrimit.

“Ne kemi një ambasador të mirë në Shqipëri. E ndjek të gjithë punën e tij dhe jemi në kontakt. Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, e kam ndjekur me vëmendje gjithçka. Gjëja që na nevojitet janë rezultatet e qarta përfundimtare. Duam të shohim të gjitha parregullsitë qoftë dhe blerjen e mundshme të votave. Pas rezultateve do të na duhet që Kuvendi të fillojë nga puna shumë shpejt për reformat e BE-së. Pa kuvendin e plotë nuk mund të ecet përpara drejt BE-së. Nëse do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, puna duhet të përshpejtohet jo vetëm nga qeveria, por dhe nga Kuvendi. Po presim procesin e apelimit dhe shpresoj që Shqipëria të ecë përpara”, tha komisioneri për Zgjerim.