Lulzim Basha i sfiduar!

Humbja e PD në zgjedhje, Imami: Rama manipulator, por Basha s’mund të qëndrojë më në krye të partisë

Ish-anëtari i kryesisë i Partisë Demokratike Arben Imami ka folur ne studion e “Absolut 4” për humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit dhe situatën e krijuar në parti.

Në këndvështrimin e tij, ai thotë se ka pasur manipulime paraprake të zgjedhjeve nga Rama, por thekson se kryetari i partisë pas humbjes së dy palë zgjedhjeve nuk mund të qëndrojë më, pasi ka përgjegjësi objektive. Sipas Imamit edhe mos reflektimi nga ana e partisë është i gabuar. (për më shumë)

Imami: Basha i ka dalë nga duart edhe mentorit të tij Sali Berisha

Ish-anëtari i kryesisë së PD-së Arben Imami ka folur me një gjuhë të ashpër për kreun aktual të Partisë Demokratike, lidhur me vendimin e këtij të fundit për djegien e mandateve në vitin 2019. Sipas Imamit, për Bashën “duhet të kishim folur me forcë që në 2013, por menduam që garancia ishte Sali Berisha”. Ai thekson se ai i doli nga duart edhe mentorit të tij dhe përgjegjësia është e atij që ka marrë vendimet.

“Për të gjitha vendimet që janë marrë janë përgjegjës ata që kanë marrë vendimet. Ne kemi folur në grup parlamentar në 2013,  kemi pasur sens konstruktiv, sens dashamirës për ta ndihmuar atë se menduam që ishte aguridh, i papjekur dhe gabuam se këto që kemi thënë duhet t’i kishim thënë me këtë forcë që atëherë. Menduam që garancia për të do të ishte Sali Berisha dhe do t’i tregonte se çfarë duhet të bënte dhe si të veprohet dhe ai i doli nga duart edhe mentorit të tij. Dhe këtë e besoj dhe koha do të tregojë që kam të drejtë”.

Për Imamin, mënyra sesi Basha po e drejton PD është e paaftë dhe e korruptuar, teksa shton që kritikat ia ka thënë në sy dhe shumë më pak në mbledhje grupi për të mos krijuar frymë ashpërsie. (për më shumë)

Kadilli: Mazhoranca nisi fushatën në shtator, opozita në mars

Fatbardh Kadilli tregoi në “Absolut 4” se kush ishte gabimi më i madh që bëri opozita në zgjedhjet e 25 Prillit.

Pasi përsëriti se zgjedhjet ishin të manipuluara, Kadilli u shpreh: “Basha vetëm një herë ka bërë konsultime në forume politike. Ka ndodhur në vitin 2015, për zgjedhjet lokale, kur PD-ja ka marrë më shumë vota. Kemi pasur përballë PBDNJ-në, LSI-në dhe të tjerët, por morëm rezultat shumë të mirë. Në 25 Prill dëshiroja ndryshim dhe instinkti më thonte se do të kishte ndryshim. Por, kundërshtari ynë diabolik dhe arrogant, me të gjitha mjetet legjitime dhe jolegjitime në dispozicion, hyri në fushatë në shtator dhe PD-ja hyri në mars, vetëm 6 javë përpara zgjedhjeve. Kjo është një nga gafat më të rënda”.

“Kryetari ka përgjegjësinë që të mobilizojë çdo kapacitet për fushatë. Sot është vonë për të bërë analizë. Të gjithë e dinë që përgjegjësia për këtë fatalitet është e kryetarit, i cili duhet të japë dorëheqjen e parevokueshme dhe të mos e përdorë luftën për votën e lirë për të bërë fushatë për kryetar”, shtoi Kadilli. (për më shumë)

Imami: Nëse gjërat nuk përmirësohen në PD, e djathta është e bllokuar nga PD

“PD është aset që mund të shkëpusë vendin nga bataku ku është futur dhe është vlerë kryesore. Nëse nuk do te jetë kjo korsi e ngjarjeve, nëse gjërat nuk përmirësohen në PD, besoj që e djathta është e bllokuar nga PD”. Këtë mendim ndau në studion e “Absolut 4” ish-anëtari i kryesisë së PD Arben Imami. Sipas tij PD sot nuk përfaqëson asgjë, as antikomunizmin e vjetër, as tregun, as punëtorin dhe ndryshimi, thekson ai, duhet të përfshijë edhe reformimin e kryetarit. Imami deklaron se partitë politike mbahen për interesa materiale të turpshme të 3-4 personave. (për më shumë)

Kadilli: Hyj në garën për kreun e PD-së për të vendosur një model të ri

Fatbardh Kadilli u shpreh në “Absolut 4” se Partia Demokratike duhet të kthehet te bazamenti i saj. “Na duhet të kthehemi te bazamenti ynë, te themeli. E djathta është besim. Unë jam në kontakt me të gjithë, edhe me ata që mbrojnë zotin Basha”, tha Kadilli.

Kur u pyet pse nuk zërat që kanë dalë tani kundër zotit Basha nuk kanë folur më parë, Kadilli tha: “Problematikat që shikohen, duhen trajtuar brenda grupit dhe të mos i lejosh të bëhen konsum në dëm të grupit. Nuk duhet që një mendim imi të cenojë grupin. Nëse do të fitonte Basha, sot do të ishte kryeministër. Tani që humbi, duhet të ikë sepse bëhet barrë për partinë. PD dhe PS kanë provuar disa herë zboret politike. Unë dua një PD që ka këllqe të përballojë të vërtetën dhe ta kthejë në moment reflektimi dhe ringritjeje”. (për më shumë)