Ndarja nga jeta e Guljelm Radojës, prej një muaji në betejë me covid

“Pse e shite dinjitetin, miku im?”  Kjo ndoshta do të jetë thirrja e fundit që do të mbajmë mend nga artisti që nuk bëri kurrë kompromise, me asnjë pushtet, me asnjë politikan, pasi për të pakti i përjetshëm mbetej me skenën dhe cakun e kinemasë, pakti i tij i përjetshëm ishte me publikun. Prej një muaj Guljem Radoja luftonte kundër koronavirusit.

Miqtë e tij nga teatri Aleksandër Moisiu në Durrës luteshin për shërim, bënin thirrje publike ta ndihmonin artistin të kurohej në Tiranë, por vetëm tre ditë më parë Guljem Radoja mundi të transferohej në spitalin Covid 2, ku me pajisjet e intubimit nisi një luftë edhe më të ashpër me covid 19, një luftë të cilën nuk mundi ta fitonte dot.                                                                                                                                         

Por, ajo që la pas aktori i madh është një thesar karakteresh që janë shënjuar në memorien e shqiptarëve, jo vetëm atonë skenat teatrale ku numëron dhjetëra kostume personazhesh, por edhe në kinematografi. 30 role në kinematografi e shënjojnë që në fillim të përballjes me publikun si aktori me vështirmini e gjarprit, një vështrim që kinemasë shqiptare I mungonte, derisa pjesë e saj u bë Guljem Radoja.

 Me një jetë të vështirë, që në fillimet e karrierës, me njollën e të vjehrrit në biografi, artisti shënjohej herë pas here nga politika, por ai të shenjtë kishte dinjitetin dhe kështu do të mbahet mend, një artist dinjitoz që edhe pse me 10 vitet e fundit jetoi me një pension jo aq dinjitoz, vazhdonte të na pasuronte kulturën si ‘’mjeshtër i merituar”.