Ndryshon taksa progresive, Denaj në “A2 Business”: Përfitojnë 10 000 persona

Socialistët kanë fituar një mandat të tretë në zgjedhjet e 25 prillit. Gjatë fushatës elektorale u zbuluan disa nga ndërhyrjet që kryeministri Edi Rama premtoi se do të ndërmerrte për të zhvilluar ekonominë.

Një ndër premtimet e kryeministrit gjatë fushatës ishte ndërhyrja në taksën progresive. E thënë ndryshe, në taksimin e pagave. Taksa progresive që është sot në fuqi parashikon 0 taksim për pagat deri në 30 000 lekë; 13% taksë për pagat nga 30 000 në 150 000 lekë dhe 23% taksë për pagat mbi 150 000 lekë. Ajo që premtohet nga socialistët është që 0% taksë të ketë për pagat deri në 40 000 lekë, për pagat nga 40 000 deri në 250 000 taksa të bëhet 13% dhe për pagat mbi 250 000 lekë të aplikohet taksimi 23%. 

Por, pse po bëhet ndryshimi në modelin e taksës progresive? E ftuar në studion e A2 Business, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj shpjegoi: “Shqiptarët votuan përsëri për taksën progresive. Ka një zgjerim fashe që nuk ndodh për herë të parë. Është një zgjerim fashe për të ndihmuar një pjesë të personave të punësuar në atë që quhet shtresa e mesme. Ne i kemi qëndruar besnik asaj që kush merr më shumë, paguan më shumë taksë. 63% e shqiptarëve e kanë taksimin 0 dhe kështu do e kenë sërish. Shtresa e mesme, me zgjerimin e dytë të fashës, përfitojnë edhe 10 000 të punësuar të tjerë, që do të kenë më shumë të ardhura nga ulja e taksimit të qeverisë”.

Por, ekspertja e ekonomisë Zana Guxholli theksoi se “është bërë mirë që është zgjeruar fasha, por kjo është shoqëruar me mbledhjen e gjithë të ardhurave të shtresës së mesme, që bën nga dy punë”.

Eksperti Selami Xhepa nënvizoi se “duhet të jemi parimorë kur flasim për sistem tatimor”.

“Sistemi duhet të jetë neutral dhe i drejtë me të gjithë, që të mos krijojë deformime ekonomike”, u shpreh Xhepa.

Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, mendon gjithashtu që “taksa duhet të jetë e drejtë”.

“Ne mendojmë që është e zhdrejtë sepse kemi individë që performojnë në treg si biznes i vogël dhe kanë 0 taksë. Nëse përfitojnë 200 000 lekë në muaj, nuk paguajnë taksë. Një individ tjetër, që mund të jetë i dypunësuar, paguan 23% për një pagë mbi 200 000 lekë. Pse duhet ta kemi kaq të zhdrejtë sistemin? Unë besoj se kemi sistem të komplikuar taksash sepse kemi vazhdimisht përjashtime të ndryshme dhe nivele të ndryshme taksash. Kemi 30 vjet që e ndërlikojmë sistemin fiskal, aq sa sipërmarrësve u duhen konsulentë fiskalë”, deklaroi Shkodra.

  • LAJMI I FUNDIT | Shqipëri, 1 humbje jete në 24 orë nga COVID-19
  • LAJMI I FUNDIT | MSH: Janë 8 rastet e reja nga COVID-19 në 3375 testime
  • LAJMI I FUNDIT | MSH: Marrin trajtim spitalor 19 pacientë, 5 në terapi intensive