Objektivi i ri i Biden, 70% e amerikanëve të vaksinuar deri më 4 korrik

Presidenti amerikan njofton një objektiv të ri në përpjekjen për të vaksinuar të gjithë amerikanët kundër Covid-19, pasi tejkaloi objektivin e mëparshëm të 100 milionë injektimeve në 100 ditëshin e parë në detyrë.

“Tani që flasim gati 150 milionë amerikanë kanë marrë të paktën një dozë. Më shumë se 105 milionë janë plotësisht të vaksinuar”, deklaroi Biden.

Biden njoftoi se vaksinimi do të hyjë tani në një fazë të re, me një fokus të ri: vaksinimi i adoleshentëve nga 12 deri në 15 vjeç. Rregullatori amerikan pritet të rekomandojë përdorimin e vaksinës së Pfizer për këtë grupmoshë javën e ardhshme.

“Shpresa ime është se nëse vaksina autorizohet, prindërit do të shfrytëzojnë mundësinë duke vaksinuar fëmijët”, thotë Biden.

Administrata Biden po bën gjithashtu hapa për të lehtësuar qasjen ndaj vaksinës.

“Duke nisur nga kjo javë, ju do të jeni në gjendje të vaksinoheni pa lënë orar në rreth 40 mijë farmaci rreth vendit.”

Megjithatë, skepticizmi ndaj vaksinës mbetet një problem i madh, dhe niveli i vaksinimit është përgjysmuar në krahasim me 3 javë më parë. Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk vaksinohet 80 për qind e popullsisë, një tjetër valë infektimesh mund të pushtojnë vendin në dimër.