Brenda Kuvendit të 25 prillit

Publikuar më: 6/5/2021, ora 23:22

Brenda Kuvendit të 25 prillit

Publikuar më: 6/5/2021, ora 23:22

Krasniqi: Shqipërisë i duhej një parlament më funksional në cilësi dhe përfaqësim

Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit kanë qenë në fokus të diskutimit në emision “Absolut 4” në A2 CNN me analistët Afrim Krasniqi, Mentor Kikia dhe Ilir Kalemaj.

Për Krasniqin prurjet e reja nuk kanë përvojë politike, por janë lokalë dhe është e vështirë që të krijojnë një profil politik. Sipas tij shumica e tyre nuk krijojnë besim.

“Kur krahasojmë parlamentet  dhe ka një numër shumë të madh deputetësh që vijnë për herë të parë, ka njerëz që kanë një CV dhe kanë pasur mundësi që të kenë zë publik. Nëse e krahasojmë me ata që u larguan në fakt nuk kemi të dhëna bindëse që do jetë më i mirë, por nuk shohim figura që vinin nga bota akademike, kurse prurjet e reja janë lokale dhe nuk kanë përvojë politike dhe është e vështirë të krijojnë një profil politik, shumica e tyre nuk na krijojnë besimin”.

Krasniqi thekson se pas 30 viteve, Shqipërisë i duhej një parlament më funksional në cilësi dhe përfaqësim. Sipas tij në parlament ka deputetë që përfaqësojnë nivelin më të ulët kulturor dhe elitar të shoqërisë. (për më shumë)

Kikia: Do të doja deputetë me integritet e kurajo për të kundërshtuar ligjet që bien ndesh me interesin publik

Për gazetarin Mentor Kikia shqetësim është integriteti publik për ata që shkojnë në parlament. Në studion e Absolut 4 ai tha se problem i deputetëve shqiptarë është nënshtrimi ndaj kryetarit dhe u mungon kurajoja për të kundërshtuar një ligj apo vendim që bie ndesh me interesin publik.

Sipas tij  ky parlament do të jetë shumë më i mirë se parlamenti që po lëmë pas.

 “Parlamenti detyrën parësorë e ka bërjen e ligjeve dhe njerëzit që vijnë nga jurisprudenca, janë të domosdoshëm, por përtej profesionit që ka secili prej ligjvënësve ata duhet të kenë një staturë publike. Parlamenti nuk është akademi shkencash, që të kemi ajkën e shoqërisë apo inteligjencën. Ata janë përfaqësues të popullit më shumë se elita e kombit. Është një kategori profesionistësh që udhëheqin procesin e ligjbërjes por ajo që më shqetëson është integriteti publik. Njerëz që pavarësisht statusit profesional kur shkojnë në parlament nuk janë asgjë më shumë se njerëz të bindur të kryetarit, kjo e zhvlerëson këtë njeri. Mua më duhet njeriu me integritet që kur qeverisa sjell një ligj që bie ndesh me interesat e publikut të kenë kurajon publike e qytetare që kjo nuk bën dhe duhet ndrequr. Por na rezulton që janë të nënshtruar nga vullneti i kryetarit dhe nuk na hyn në punë diploma, nëse do flasim për cilësi parlamenti. Çdo parlament do jetë më i mirë se ky që po lëmë”. (për më shumë)

Parlamenti i 25 prillit, Kalemaj: Kemi humbur përfaqësimin, jemi kthyer në republikë ekzekutive

“Ka rënë përfaqësia parlamentare, ka rënë forca e parlamentit si organ legjislativ që me ndryshimet e Kodit zgjedhor që dobësuan lidhjen e deputetit me territorin”. Kështu u shpreh në Absolut 4 analisti Ilir Kalemaj, sipas të cilit nuk ka debat dhe transparencë për çështjet me jetike të shoqërisë.

“Nuk pritet që të gjithë të jenë intelektualë e profesorë por nuk mund të merret parasysh fakti që mbi 70% e parlamentit nuk kanë lidhje me ligjbërjen nuk kuptojnë se për çfarë diskutohet as nuk lexojnë atë që kanë para syve. Dhe nuk ka debat me atë që janë çështjet jetike të shoqërisë, nuk funksion as transparenca, financimi i partive politike, nuk ka llogaridhënie të rekordeve të tyre në fund të mandati apo mbi bazën e çfarë performance vlerësohen këta”.

Teksa vlerëson parlamentin e parë si më të mirin që ka patur vendi ynë, Kalemaj thekson se “ne jemi kthyer në republikë ekzekutive dhe kemi qeverisur me dekret”. (për më shumë)

Kikia: PD-ja duhej ristartuar pasi u largua Berisha nga drejtimi i saj

Gazetari Mentor Kikia u shpreh në “Absolut 4” në A2 se Partia Demokratike duhej të ishte ristartuar pasi Sali Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i saj.

“Me të mirat dhe të këqijat e veta, Partinë Demokratike e mbajti gjallë karizma e Sali Berishës. Kur Berisha vendosi të largohet, ishte si ai shoku që pësoi populli kur vdiq Enver Hoxha. Në PD kjo u quajt si diçka normale, por nuk ishte. Nuk mundej që lidershipi i ri të trashëgonte pushtetin e Berishës. Berisha duhet të ishte hequr mënjanë sepse në vitin 2013 njerëzit e përzunë Berishën. Dhe kur partia kaloi në opozitë, ajo mendoi se gjithçka ishte harruar. Por, njerëzit mbajnë mend. PD-ja duhej ristartuar dhe në vend që të bënte këtë, kërkoi pushtet menjëherë”, tha Kikia. (për më shumë)

A ka bazë juridike nisma për shkarkimin e Presidentit? Krasniqi shpjegon në “Absolut 4” se çfarë do të ndodhë

Politologu Afrim Krasniqi u shpreh në “Absolut 4” se nisma e ndërmarrë nga mazhoranca për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta është vetëm “lojë politike”.

“Kushtetuta ka një pikë ku thotë që Presidenti shkarkohet për një krim të rëndë dhe Partia Socialiste nuk ka ofruar asnjë provë për një krim të rëndë. Nisma e parë për shkarkim ka pasur një akt konkret: zhdekretimin e zgjedhjeve. Kësaj radhe është vetëm një nismë politike. Edhe sikur Parlamenti ta votojë 100% për shkarkimin e Presidentit, ai do të vazhdojë detyrën, Gjykata Kushtetuese do ta marrë çështjen në shqyrtim dhe do të dojë 6-8 muaj për të marrë një vendim. Duhen 5 vota në Gjykatën Kushtetuese dhe aty nuk janë 5 vota. Edhe sikur t’i sjellë mazhoranca anëtarët e rinj, vendimi do të merret vitin tjetër, kur ka mbaruar mandati i Presidentit. Është vetëm një lojë politike, për të mbushur boshllëkun dhe për të krijuar një agjendë paralele me debatin që ka krijuar opozita për blerjen e votës”, shpjegoi Krasniqi. (për më shumë)