Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

“Burra që urrejnë gratë”... 6 vrasje në 5 javë trondisin vendin e vlerësuar për barazinë gjinore

Nga A2 CNN
6 Maj 2021, 16:44 | Bota

Gjashtë gra janë vrarë në vetëm pesë javët e fundit në Suedi, një seri ngjarjesh tragjike që kanë rikthyer edhe një herë në vëmendje të shoërisë atje, dhunën në familje, një fenomen i habitshëm për një nga vendet që zakonisht vlerësohet për barazinë gjinore.

Edhe pse nuk kanë shumë të ngjashmëri me vrasjet makabre të rrëfyera në librin e shkrimtarit suedez Stieg Larsson, “Burra që urrejnë gratë”, botuar në vitin 2005, duket se titulli u shkon për shtat këtyre historive.

Vrasjet kanë ndodhur në krahina të ndryshme, viktimat janë të brezave të ndryshëm, por në të gjitha rastet e përbashkëta ishte se, i arrestuari si autor i dyshuar, ishte një burrë që kishte lidhje të afërta me to.

Dy prej vrasjeve kanë ndodhur në mes të ditës: një në qendër të një qyteze në jug të vendit, tjetra në stacionin kryesor të trenave në Linkoping, një qytet studentor në jug të Stokholmit.

Në Flemingsberg, një periferi e varfër e kryeqytetit, një grua u vra me thikë në apartamentin që ndante me katër fëmijët e saj. Burri i arrestuar si i autor i dyshuar raportohet të jetë dikush që ajo e njihte mirë. Banorët e zonës tregojnë se nuk ndihen më të sigurt dhe kërkojnë që dhuna ndaj femrave të diskutohet më tepër, në mënyrë që fenomeni të mos përsëritet.

Në vitin 2020, në Suedi u raportuan 16461 raste të sulmeve ndaj grave nga persona të afërt, një rritje me 15,4% krahasuar me vitin 2019, sipas shifrave të Këshillit Kombëtar për Parandalimin e Krimeve.

Ministrja suedeze e Barazisë Gjinore, Marta Stenevi, thotë që është e tronditur nga dhuna, por jo e befasuar. “Kemi ecur shumë sa i përket barazisë gjinore në Suedi, por jetojmë ende brenda disa strukturave që i shtypin gratë”, thotë ajo.

Qeveria po punon për hartimin e një strategjie 10-vjeçare që synon përmirësimin e edukimit dhe sigurimin e mbrojtjes më të madhe për gratë që ndihen të kërcënuara. Një nismë që është përshëndetur edhe nga Policia. Disa politikanë janë përpjekur t’i bëjnë bisht problemit, duke e quajtur fenomenin si të importuar, por ministrja Stenevi thotë se etiketimi si “çështje e emigrantëve” e minimizon shumë atë. “Kemi sigurisht probleme me të ashtuquajturat “vrasje nderi”, por dhuna ndaj grave ka rrënjë të thella në shoqërinë suedeze”.

Disa mendojnë që pandemia ka luajtur rol në rritjen e dhunës ndaj grave. Edhe pse Suedia nuk bëri mbyllje totale, por sidoqoftë, një numër i madh grash u detyruan të qëndrojnë në shtëpi, diçka që mund të ketë ndikuar në rritjen e ndërveprimit, dhe si rrjedhojë, edhe të mosmarrëveshjeve.

A2 CNN Livestream

Dita jonë