Chelsea, gjithmonë në finalen e Champions me trajnerë që marrin ekipin në mes të sezonit

chelsea 1 600x338

Chelsea siguroi finalen e tretë të Champions League në historinë e klubit, pasi mundi 2-0 Realin në “Stamford Bridge”.

Por, interesant është fakti që në të treja herët që ka arritur finalen e kompeticionit më të rëndësishëm evropian për klube, në mes të sezonit pronari Roman Abramovich ka shkarkuar trajnerin.

Në sezonin 2007-2008 u shkarkua Jose Mourinho dhe u zëvendësua nga izraeliti Avraham Grant. Ekipi arriti finalen, por u mposht nga Manchester United me 11-metërsha.

Në sezonin 2011-2012, u shkarkua Villas-Boas, duke i lënë vendin Roberto Di Mateos. Me italianin në stol, Chelsea fitoi Champions-in, duke mposhtur Bayern Munchen me penallti.

Edhe në sezonin aktual, Abramovich shkarkoi trajnerin Frank Lampard për rezultate të dobëta dhe e zëvendësoi me Thomas Tuchel, i cili e dërgoi ekipin në një tjetër finale të Champions League. Mbetet për t’u parë nëse trajneri gjerman do t’i japë londinezëve trofeun e tyre të dytë.