Ekonomia botërore në pikiatë nga pandemia, por gjigantët farmaceutikë kanë fituar 70 miliardë dollarë

vaksinat dolalre leke 1100x620

Viti i kaluar dhe ai që po përjetojmë, pra në total periudha pandemike, do të mbahen mend për një nga rëniet ekonomike globale më të mëdha të historisë, ndoshta më e madhja duke marrë parasysh efektet kapilare në çdo shtet dhe sektor.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, humbjet në këtë periudhë në rang global do të shkojnë deri në shifrën e pabesueshme të 28 trilionë dollarëve, baraz me një recesion  të 4.4% të ekonomisë globale.

Por ka një sektor që ka shënuar një rritje domethënëse, dhe normalisht është ai farmaceutik. Sipas të dhënave, arkëtimet vetëm nga vaksinat kundër COVID-19  gjatë vitit 2021 janë të dyfishuar nga parashikimet e mëparshme, duke i siguruar industrive fitime tejet të kënaqshme.

Kompani si Pfizer, Moderna, Astra Zeneca, por edhe të tjerat që ndodhen në fazë eksperimentale, kanë marrë financime të majme nga shtetet e ndryshme, rreth 10 miliardë dollarë vetëm nga Shtetet e Bashkuara, në pjesën e kërkimit shkencor. Diçka që padyshim ka përshpejtuar realizimin e vaksinave, të shpërndara në një kohë rekord.  

Përllogaritet që vetëm tre kompanitë më të mëdha Pfizer, Moderna dhe Astra Zeneca, të kenë arkëtuar nga shitjet gjatë këtij viti rreth 32 miliardë dollarë, por fitimi total me ndihmën e vaksinave anti-covid  për këto kompani mund të shkojë deri në 70 miliardë dollarë.

Një fitim që nuk duket se do të shterojë vitet në vijim, nga momenti që popullsia botërore do të ketë nevojë për doza të tjera për të mbajtur imunizimin e plotë, me doza që padyshim do të jenë më të kripura sesa ato që janë shpërndarë në kohë emergjence.

Propozimi i presidentit Joe Biden por edhe i BE-së dhe Rusisë për një pezullim të pronësisë intelektuale mbi vaksinat anticovid, me një shikim afatgjatë mund të rrezikojë këto përfitime, por për momentin “Big Pharma” mund të ngrejë, me një dozë cinizmi, një dolli për vitin që sapo kaloi.