Të dypunësuarit, shtyhet afati i deklarimit të të ardhurave për 2020

Të gjithë individët e dypunësuar apo që gjatë vitit 2020 patën mbi 2 milionë lekë të ardhura dhe nuk arritën të plotësonin deklaratën vjetore të të ardhurave, kanë tashmë afat deri më 30 qershor 2021.

Qeveria vendosi me anë të një akti normativ të zgjasë periudhën e dorëzimit të këtij formulari dhe kryerjen e pagesave përkatëse te tatimet dhe të falë njëkohësisht çdo penalitet.

Tatimet llogarisin se numri i të dypunësuarve që duhet të plotësojnë formularin arrin afërsisht në 88 mijë persona, që krahas deklarimit duhet të paguajnë në bankë edhe diferencën e taksimit progresiv, për shkak se dy apo më shumë paga mblidhen në një.