Kategoria Superiore, Kukësi nxjerr Vllazninë nga gara për titull

Kukesi 1100x620

Nga skuadra që e dominoi gjatë kampionatin, Vllaznia rrezikon seriozisht të ketë dalë nga gara për titull, duke humbur shanse të mira për të kërkuar fitoren e titullit të saj të dhjetë.

 Shkodranët u mposhtën 3-1 nga Kukësi në ndeshjen që hapi javën e 32 të kategorisë Superiore. Rezultat i befasishëm ai në Elbasan Arena, me veri-lindorët që u ringjallën pikërisht përballë një prej pretendentëve, duke i penguar në ambiciet e tyre.

Patrick Eze dhe Taipi i dhanë avantazhin e dyfishtë Kukësit në pjesën e parë, ndërsa penalltia e Ardit Hoxhës krijoi vetëm iluzion për Vllazninë. Shkodranët nuk arritën të evitonin humbjen, pasi Gavazaj në shtesën e lojës, vulosi suksesin e Kukësit, pas tre humbjeve me radhë.

Me këtë disfatë, Vllaznia mbetet në kuotën e 53 pikëve dhe tashmë rrezikon që Laçi ti rrëmbejë vendin e tretë, ndërsa edhe Tirana e vendit të pestë mund ti afrohet rrezikshëm. Në anën tjetër, Kukësi konsolidon pozitat në mesin e tabelës dhe krijon një distancë sigurie nga zona play out.