Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Besimtari 86-vjeçar, agjërim një jetë, edhe mes karameleve të komunizmit

Nga A2 CNN
8 Maj 2021, 21:25 | Sociale
Besimtari 86-vjeçar, agjërim një jetë, edhe mes karameleve

Të agjerosh në emër të Zotit është një nga shtyllat themelore të besimit islam e sidomos në këto ditë të fundit të Ramazanit, mes të cilave “fshihet” edhe Nata e shenjtë e Kadrit, shpërblimi hyjnor është edhe më i madh për besimtarin.

Një i tillë, i devotshëm në maksimum, gjendet në qytetin piktoresk të Pogradecit. Myftar Malellari është 86 vjeç dhe agjëron prej dekadash. Nuk ka asnjë vështirësi, edhe pse në moshë të thyer.

Por, Ramazani në komunizëm ishte mision i vështirë e megjithatë Malellari ia arrinte t’u rezistonte personave që tentonin t’ia prishnin agjerimin: “Në kohën e sistemit komunist, faleshim në shtëpi. Vinin njerëz për vizitë dhe sillnin karamele ose thonin “ta pimë një kafe”.

Ndonëse ai sistem nuk ofronte asnjë mundësi orientimi për oraret e çeljes dhe iftarit, kush donte të besonte e gjente rrugën, qoftë kjo edhe nga Afrika: “E merrnin vesh nga Radio Kajro”.

Demokracia mbërriti bashkë me besimin e forcuar, por duket se njerëzit nuk ishin ende gati: “Kur u hapën xhamitë, erdhi njëri nga Arabia dhe i la këpucët te deri e xhamisë dhe u fut brenda. Kur doli, nuk i gjeti më këpucët”.

Në ditët e sotme, për imamin Shaho, Xha Myftari shihet si shembull që duhet ndjekur edhe nga brezat e rinj: “Agjëroni dhe do ta shikoni që agjërimi të mban në formën e duhur”.

Pas këtij muaji sacrifice, edhe 86-vjeçari nga Pogradeci do të festojë Fitër Bajramin e Madh, me shpresën se Zoti do t’ia ketë pranuar përkushtimin e tij, ashtu siç dëshirojnë miliona e miliona besimtarë në të gjithë botën.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani