PD vijon denoncimet, Këlliçi: Strukturë e mirëfilltë e blerjes së votës në një lokal të Tiranës, SPAK lejoi “mercenarët”

Partia Demokratike vijon me denoncimet e saj për atë që cilëson si skemë kriminale e blerjes së votës nga ana e mazhorancës, nga kësaj radhe tek Njësia 8 në Tiranë.

Sipas Belind Këlliçit, “prej më shumë se një muaji, Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK kallëzimin penal për veprën penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”, “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”, “Kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Marrjes ose përdorimit të paligjshëm të dokumenteve të identifikimit” për shtetasit Aleksandër Lipivani, Emiljano Dusha, Ardian Davidhi, Rexhep Spahiu, Marlind Shkreli dhe çdo person tjetër të paidentifikuar nga ana e jonë.”

Sipas tij këto persona kishin krijuar një strukturë të mirëfilltë të blerjes së votës, shantazhit dhe kërcënimit, si dhe mbledhjes së kartave të identitetit në një lokal në rrugën “Qemal Stafa”, ku sipas akuzave të PD-së  këta persona shpërndanin para cash në këmbim të votës për Partinë Socialiste.

Personat në fjalë për Këlliçin janë funksionarë të administratës publike, si në rastin e Aleksandër Lipivani, ose biznesmenë përfitues nga tenderat, si Emiljano Dusha dhe Ardian Davidhi.

Sipas tij, “megjithëse kishte 3 javë në dispozicion, SPAK heshti duke lejuar mercenarët e aleancës Rama-Doshi-Rakipi të zbatojnë skemën kriminale të blerjes së votave”.