Tregu financiar jobankar, konkurrenca vazhdon hetimin, rrëzon kërkesat e subjekteve

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të vazhdojë hetimin e thelluar në tregun e subjekteve financiare jobanka, duke rrëzuar kërkesat e tre shoqërive që kanë pozitë dominuese në këtë treg.

Në shkurt të këtij viti, Konkurrenca identifikoi pesë kompani që zinin pjesën dërrmuese të tregut në fushat ku ato operojnë, si kredia, mikrokredia, qiraja financiare, faktoringut, shërbimit të pagesave dhe transferimit të parave.

Disa prej tyre, pavarësisht pozitës dominuese u konstatuan se aplikonin interesa apo komisione më të larta se sa konkurrentët. Ndërsa në disa raste, pesha që një institucion financiar zë në tregun përkatës arrin deri në 90%. Këto janë arsyet që shtynë Konkurrencën të dyshojë për abuzim dhe shkelje të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.

Tre prej këtyre kompanive kanë kërkuar shfuqizimin e vendimit për nisjen e hetimit të thelluar, por institucioni ka vendosur të vazhdojë procedurën që përfshin periudhën 2018-2020.

Paralelisht në tregun e mikrokredisë, Banka e Shqipërisë po kërkon të vendosë një tavan maksimal mbi normat e interesit që aplikojnë institucionet mikrofinanciare për të mbrojtur konsumatorët. Diçka që sërish është kundërshtuar nga këto biznese, me argumentin se operojnë në një treg me kosto dhe rrezik të lartë.