Raketa që la pa frymë gjysmën e botës bie në Oqeanin Indian

Kanë përfunduar orët e ankthit për miliona banorë në gjysmën e rruzullit tokësorë në lidhje me se ku do të binte raketa kineze Long March-5b, e cila prej disa ditësh kishte dalë nga kontrolli dhe “kërcënonte” se do të kishte një impakt shumë të madh.

Mediat kineze raportuan se pjesa më e madhe e raketës u shkatërrua kur hyri në atmosferën e Tokës, ndërsa mbetje të saj mendohet të kenë rënë në Oqeanin Indian, në perëndim të Maldiveve, pa shkaktuar asnjë dëm tjetër.

Sipas të dhënave, pjesë të raketës hynë në atmosferë të dielën në rreth orës 02:24.

Komanda Hapësinore e SHBA.-së përmes një deklarate konfirmoi se raketa Long March-5b kishte rënë pranë Gadishullit Arabik, pa saktësuar nëse mbetjet ranë në ujë apo tokë.

Prej disa ditësh shumë vende të botës kaluan në gjendje gatishmërie pasi trajektorja e pasaktë e raketës mund të godiste dhe zona të qytetëruara.

Raketa Long March 5B u nis nga ishulli kinez i Hainan më 29 prill dhe transportonte modulin Tianhe, i cili kishte furnizime për ekuipazhin kinez në stacionin hapësinor.