Bino për situatën: Nuk ka kaluar rreziku i zgjedhjeve, sezoni turistik varet nga sjellja jonë

Përmirësohet ndjeshëm situata nga përhapja e koronavirusit në vend. Shefja për sëmundjet infektive në institutin e shëndetit publik tregon se janë ulur të infektuarit dhe pozitiviteti nga COVID-19,  aktualisht është nën 5%. Por sipas Binos, ende nuk e kemi kaluar rrezikun nga grumbullimet dhe shkeljet e masave për zgjedhjet.

“Duhet të presim të paktën dy periudha inkubacioni, pra 2 herë 2 javë, që të themi me saktësi impaktin që do të kenë zgjedhjet në përhapjen e infeksionit. Por për momentin kemi një situatë të pëlqyeshme, ku jo vetëm kemi shifra të ulëta, por edhe pozitivitet të ulët, poshtë 5%”, tha Bino.  

Këtë situatë pozitive, Silva Bino ia dedikon një sërë masave përfshi dhe rritjes së vaksinimeve. Megjithatë, ekspertja për sëmundjet infektive sqaron qytetarët se koronavirusi nuk është zhdukur, ai është ende në qarkullim. Ndaj sipas Silva Binos, çdo shkelje e rregullave mund të na çojë në shpërthime të tjera.

Bino nuk mund të bëjë parashikime se si do të jetë vera në raport me pandeminë. Sipas saj, kjo do të varet vetëm nga sjellja e qytetarëve dhe respektimi i masave. Ndërkohë në lidhje me vaksinimet, deri tani të katër tipologjitë e vaksinës nuk kanë shkaktuar efekte anësore te personat që kanë marrë dozën e parë, si dhe tek ata që e kanë mbyllur këtë proces.