Brataj: Së shpejti do të ketë lirim të masave

Skënder Brataj, kreu i Urgjencës Kombëtare, u shpreh në “Dita jonë” se situata e pandemisë në vendin tonë është e mirë aktualisht dhe si rrjedhojë, së shpejti do të kemi lirim të masave.

“Pandemia është e lidhur me të gjithë botën. Ne kemi bërë 600 000 vaksina, por variantet e reja që lindin nuk ka kufi që t’i mbajë. Unë mendoj që jemi në një fazë kur vera nuk është më shqetësuese. Ne, duke zgjedhur një formë konstante të masave, të lehta deri në të mesme, së shpejti do të kemi lirim të masave. Monitorimi bëhet çdo ditë dhe çdo javë”, deklaroi Brataj.

Në lidhje me mbajtjen e maskave, Brataj deklaroi: “Sa i përket maskave, e kemi marrë në shqyrtim disa herë këtë çështje. Këtë javë mund të ketë një vendim”.

“Shifrat zyrtare janë këto që dimë, por në epidemiologji duhen shumëzuar me 5 ose me 10. Pra, nga rreth 130 000 të prekur zyrtarisht, i bie ta kenë kaluar gati 1 milion e 300 mijë persona”, shtoi Brataj.

Kur u pyet nëse ata që kanë bërë vaksinën kineze do të udhëtojnë lirshëm, Brataj theksoi se vaksina kineze, si të gjitha të tjerat, mbështetet mbi teknologji ekzistuese dhe ka dhënë efekt. “Kush ka bërë vaksinën mendoj se do të lëvizë lirshëm”, tha ai.