Pandemia në Kosovë, për një javë vaksinohen 3700 persona me dozat e Pfizer

Vaksinimi i personelit shëndetësor ndaj Covid-19 në Kosovë po ecën me ritme të kënaqshme. Në sallën sportive “1 tetori” në Prishtinë është dita e gjashtë që imunizimi bëhet me doza të Pfizer-Biontech, që erdhën disa ditë më parë dhuratë nga Bashkimi Europian.

 “Aktualisht deri në këto qaste që ne po flasim janë të vaksinuar 120 persona përderisa në total shkon numri në 3700. Nëse i referohemi totalit të përgjithshëm janë diku rreth 28 mijë vaksina të ofruara përfshirë të AstaZeneca dhe Pfizerit.”, deklaron Niman Bardhi, koordinator i qendrës së vaksinimit.

Mungesa e mjeteve për të luftuar pandeminë koronavirus po konsiderohet një problem shumë serioz në Kosovë. Shqetësuese është mungesa e autoambulancave.

“A janë kapacitet e mjaftueshme, nuk janë. Kosova ka diku rreth 100 autoambulanca që ato edhe në kushte normale nuki kanë plotësuar kushtet apo kërkesat për trajtim. Tash kur kemi një situatë me COVID, këto kapacitete edhe më tepër janë ngarkuar.”, shprehet Besim Kodra, kryetari i Shoqatës së Pacientëve.

Zgjidhja shikohet te ndryshimi i ligjeve.

“Kemi disa autoambulanca të cilat janë duke pritur në doganat e Kosovës, mirëpo problemi është që ato janë më të vjetra se 10 vjet. Dhe me ligjet aktuale në fuqi, nuk mund të importosh njëmakinë, e cila është më e vjetër se 10 vjet.”, deklaron Sazan Ibrahimi, kryetar i asosacionit të Komunave në Kosovë.

E ndërsa spitalet presin, mazhoranca dhe opozita grinden vetëm për faktin se cila qeveri i bleu më shtrenjtë autoambulancat dhe jo për shtimin e kapaciteteve.