Reforma në drejtësi, Skëndaj: Vështirësi në gjetjen e personave që plotësonin kriteret

Në emisionin Absolut 4 kushtuar Ditës së Drejtësisë u diskutua në lidhje dhe me reformën në drejtësi në vendin tonë, zbatimin e saj dhe sfidat që ajo hasi gjatë implementimin e saj.

Për Erida Skëndajn, drejtuese ekzekutive të Komitetit Shqiptar të Helsinkit është ende shumë e vështirë të bësh një bilanc se sa drejtësi ka sot Shqipëria.

Sipas saj, gjatë zbatimit të reformës së re pati vonesa në ngritjen e institucioneve si dhe kritere shumë të forta për plotësimin e vendeve vakante.

“Është shumë e vështirë të përgjigjesh sa drejtësi kemi sot, mbasi Shqipëria ndërmori një reformë të thellë me krijimin dhe të institucioneve të reja, me një proces vetingu. Kuptohet që kur bën një bilanc nuk është e lehtë. Ka shumë mendime dhe në komunitetin e juristëve. Mendoj që paralelisht me rezultatet e vettingut ka pasur shumë sfida. Ngritja e institucioneve nuk u bë brenda afateve dhe kjo solli vështirësi. Vështirësi pati dhe për ngritjen e ILD dhe SPAK, i cili më së fundi është plotësuar. Ky ishte një problem që nuk mendohej në sistemin e ri të drejtësisë dhe që solli vonesa. Ka pasur vështirësi në gjetjen e njerëzve që plotësonin të gjitha kriteret”, tha Skëndaj.