Turizmi në pandemi. Berati pak i frekuentuar, ndihet rënia ekonomike

Në rrugicat e Kalasë së Beratit, ndonëse në një situatë të vështirë pandemike, gjejmë pak turistë. Ata kanë ardhur për herë të parë në qytetin antik dhe janë të impresionuar nga arkitektura 2400-vjeçare e tij.

I tillë është edhe ky grup turistësh nga Amerika, të cilët kanë vetëm pak ditë që kanë mbërritur në qytetin e një mbi një dritareve. Nga përtej oqeanit, thonë se u mungon një pamje antike si kjo: “Kemi rënë në dashuri, është thjesht e mahnitshme. Nuk gjen si ky vend as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Amerikë është çdo gjë e re, aspak interesante. Ata nuk ndërtojnë gjëra të tilla, prandaj nëqoftëse doni të përjetoni diçka si kjo, duhet të vini në një vend si Shqipëria”. 

Në qoshet e Kalasë, Paula, pjesë e grupit turistik, tërhiqet menjëherë nga peneli i Bajram Vashos, i cili po pikturonte Kishën e Shën Mari Vllahernës: “Ne mendojmë se është mahnitëse, e pabesueshme. Nuk ka një të tillë në vendin tonë dhe mendoj se është shumë mirë që po e pikturon. Ishte e vështirë të mbërrinim këtu, që kur kemi ardhur ka qenë shumë mirë. Njerëzit, jetesa këtu është krejtësisht normale, më normale se në Amerikë. Ne jemi vaksinuar, Shqipëria është e hapur, por kemi pasur disi vështirësi me formalitetet e njohjes së testeve të Covid-19, derisa të vinim këtu”.

Edhe Bajrami është turist në këtë qytet. Ai shpesh gjen frymëzim në vendet historike. 

Ndryshe nga të tjerët, Peteri, një turist nga Çekia, e di shumë mirë se ku ndodhet: “Kam ardhur në Berat sepse është qyteti i UNESCO-s. Doja të shihja kalanë e vjetër. Më pëlqen ky vend. Këtu shtëpitë janë njëra sipër tjetrës. Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë më parë. Është një vend i bukur. Shqipëria është një nga vendet e pakta të mbetura hapur për turistët për shkak të pandemisë. Kjo është arsyeja edhe pse vendosa të vij në Shqipëri”. 

Frekuentimin e pakët të turistëve e ka ndjerë edhe Agroni. Ai është artizan dhe prej vitesh shet suvenire. 

Në prag të sezonit të ri turistik, bizneset e Beratit i kanë sytë nga kalaja. Turizmi është një nga sektorët kyç për zhvillimin ekonomik të këtij qyteti.