Dhuna në familje, shoqëria nuk reagon, duhen nxitur denoncimet e palëve të treta

6 gra kanë humbur jetën në pesë muajt e parë të vitit nga dhuna e burrave për shkaqe ekonomike dhe familjare. Ngjarjet njëra pas tjetrës sipas organizatave për mbrojtjen e grave janë alarmante, pasi ky fenomen nuk po njeh parandalim.

Rasti i Elbasanit dhe çdo rast paraprak, sipas Mirela Arqimandritit është një kalvar i gjatë vuajtjesh e presionesh për këto gra.

“Problemi i Elbasanit nuk ishte problem i sotshëm. Kjo ishte ngjarja e fundit në jetën e të ndjerës. Ajo kishte kaluar një kalvar të tmerrshëm dhune në familje nga bashkëshorti i saj. Shoqëria shqiptare duhet të fillojë të merret me problemin që kur nis”, u shpreh Arqimandriti.

Për të luftuar dhunën në familje dhe ndaj grave nuk mjafton vetëm ndërgjegjësimi i burrave. Që nga viti 2013, krimi në familje ka marrë 146 jetë.

Ndonëse shumica prej grave kanë pasur urdhër-mbrojtje apo kanë qenë në procedura divorcimi, fatkeqësisht nuk janë mbrojtur nga agresiviteti.

Vitet e fundit po ashtu i lartë është edhe numri i veprave penale për dhunën në familje. Të dhënat nga Policia e Shtetit tregojnë se “Dhuna në familje” është 5-fishuar në raport me vitin 2008.