“Kemi kërkuar pavlefshmëri të zgjedhjeve”, Bylykbashi: Nuk gjykojmë se është çështje që janë numëruar votat gabim

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ishte i ftuar në Absolut 4 ku foli për hapat që do të ndjekë opozita në betejën ligjore që ajo ka nisur në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Bylykbashi renditi disa nga shkeljet, që sipas tij, përdori mazhoranca për të ngritur makinën elektorale që ndikoi direkt në rezultatin e zgjedhjeve duke nisur nga punësimet në administratë apo disbursimin e fondeve të rindërtimit dhe shtoi se PD nuk gjykon se votat janë numëruar gabim në tryezë.

“Ne themi këto zgjedhje, nuk është çështje rezultati, por është fakti që zgjedhjet nuk ishin zgjedhje. Ne kemi kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Ne nuk kemi kërkuar rinumërimin e votave. Por mund të ketë të tjerë që nuk kanë të njëjtin opinion me ne. Mund të ketë parti të vogla që me instrumentin e ri që është futur në kodin zgjedhor të kërkojnë rinumërimin e të gjitha qendrave të votimit.

Ne nuk gjykojmë se është çështje që janë numëruar gabim në tryezë sepse ne kemi numërues aty. Por askush nuk përjashton faktin që numëruesit e secilit partie të ketë shkelur ligjin dhe për këtë duhet të përballet me pasojën”, u shpreh Bylykbashi.