Pritet vetëm zyrtarizimi, Hansi Flick trajner i Gjermanisë

flick 600x338

Sapo të largohet nga detyra si trajner i Bayern Munchen, Hansi Flick do të marrë drejtimin e përfaqësueses gjermane. Puna në krye të “panzerave” do të nisë menjëherë pas përfundimit të Kampionatit Evropian, periudha kur nga skuadra do të largohet tekniku aktual, Joachim Low.

Flick pritet të firmosë kontratë 3-vjeçare me Federatën Gjermane, sipas së cilës, do ta drejtojë ekipin në Botërorin 2022 në Katar dhe në Euro 2024, turne ku Gjermania do të jetë skuadër organizatore.

Prej kohësh, 56-vjeçari ka qenë kandidati i preferuar për stolin e kombëtares. Ai e njeh shumë mirë ambientin, madje ka kontribuar në krijimin e ciklit fitues nga viti 2006 deri më 2014, duke qenë asistent i Joachim Low.

Ky i fundit, do të largohet nga stoli pas 15 vjetëve, ku ka fituar edhe Kupën e Botës. Flick, i cili u emërua në krye të Bayern në vitin 2019, e mbyll aventurën me klubin pas 7 trofeve të fituar, duke përfshirë një Champions dhe dy tituj në Bundesligë.

Ai kërkoi të largohej nga bavarezët, me klubin që e pranoi prishjen e kontratës, duke njoftuar se stoli i kampionëve të Gjermanisë do t’i besohet 33-vjeçarit Julian Nagelsmann, i cili vjen nga rivalët e Leipzig.