Rregullatori jep aprovimin, prindërit amerikanë përgatiten për vaksinimin e fëmijëve

Administrata për Ushqimin dhe Ilaçet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës aprovoi vaksinimin e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç, me dozat e Pfizer. Tani pritet vetëm drita jeshile nga Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, ndërsa prindërit dhe doktorët janë gati për imunizimin e fëmijëve.

Pfizer mori aprovimin e FDA për të zgjeruar përdorimin e vaksinës anti-covid edhe te fëmijët nga 12 deri në 15 vjeç. Administrata për Ushqimin dhe Ilaçet e konsideron një hap të madh në luftën ndaj pandemisë.

Peter Marks, nga qendra për vlerësimin dhe kërkimin në FDA, u shpreh: “Ishte një vendim relativisht i mirë. Reagimi i vaksinës ishte i shkëlqyer, në fakt edhe më i mirë te grupmoshat më të reja”.

CDC ka fjalën e fundit. Komisioni Këshillues për Vaksinat do të mblidhet të mërkurën për të vendosur rekomandimin e produktit për atë grupmoshë. Dozat e Pfizer janë aktualisht të disponueshme në shumë vende të Shteteve të Bashkuara dhe pediatrët po përgatiten duke siguruar që të kenë një frigorifer që ftoh mjaftueshëm, trajnuar stafin dhe bërë gati regjistrat.

Gjithashtu, po flasin me prindërit, në mënyrë që të qëndrojnë në pritje, pasi imunizimi i fëmijëve ndaj Covid-19 mund të nisë nga e enjtja: “Vaksinimi i më shumë popullate është thelbësore që të ecim përpara dhe të lëmë pas këtë pandemi”.

Disa prindër hezitojnë: “Fëmijët e mi kanë sistem të mirë imunitar dhe janë të shëndetshëm. Akoma nuk e dimë se çfarë u bën vaksina”.

Të tjerët janë gati dhe falënderues: “Shumë qetësi shpirtërore dhe një lehtësim i madh të dimë se kemi diçka që na mbron fëmijët tanë”.