Krimi në rrugë, qytetarët në Elbasan: Policia të parandalojë

Ekzekutimi i Ibrahim Cakës në Fushë Mbret të Elbasanit riktheu dhe një herë situatën e tensionuar në qytet, në një kohë që grupet kriminale vijojnë larjen e hesapeve mes tyre.

Në Elbasan, prania e policisë ndihet vetëm 24 orë pasi është regjistruar një atentat mafioz ndërsa numrat në rritje të kriminalitetit për qytetarët janë mjaft shqetësuese pasi bëhet fjalë dhe për sigurinë e tyre.

Nga ana tjetër për ekzekutimin mafioz të Ibrahim Cakës policia ka shoqëruar disa persona, por familjarët e tyre thanë për A2 se mbahen pa asnjë motiv. Në një rast ambulanca dërgoi në spital një të shoqëruar që prej mbrëmjes së djeshme.

Motra e tij tha se i vëllai kishte disa ditë që ishte kthyer nga jashtë shtetit dhe u shoqërua vetëm se në momentin kur ndodhi ngjarja po kalonte pranë zonës pasi ishte kthyer nga Tirana.

Bashkëshortja e Ibrahim Cakës tha në polici se një tjetër automjet i goditi nga pas ndërsa çifti menduan se ishte një aksident. Silvana Caka, e cila mbeti e plagosur në dorë tha përballë hetuesve se një person u afrua në xhamin e shoferit e qëlloi 12 herë në drejtim të bashkëshortit të saj.