Manastirliu: Mbi 5000 mijë mjekë e infermierë të shërbimeve covid përfitojnë bonusin special

WhatsApp Image 2021 05 12 at 19.52.26 1100x620

“Mbi 5000 mijë mjekë e infermierë të shërbimeve covid përfitojnë bonusin special mbi pagën dhe rritja me 40% e pagave në një kohë të pandemisë tregoi edhe njëherë mbështetjen tonë të pakursyer për ata që kujdesen për jetën e njerëzve. Mirënjohja ime sot shkon për çdo infermiere e infermier kudo ku shërben, nga veriu në jug, nga qendrat e largëta shëndetësore, në spitalet terciare”.

Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj në aktivitetin e mbajtur nga ‘Urdhri i Infermierëve’, në kuadër të Ditës Botërore të Infermierëve.

Duke e konsideruar një humbje të madhe për sistemin shëndetësor, në fjalën e saj, Manastirliu kujtoi 11 infermierët që humbën betejën me COVID19.

Manastirliu nënvizoi gjatë fjalës së saj se vaksinatorët në gjithë vendin po bëjnë një punë shembullore në procesin e vaksinimit masiv.

“E teksa në spitalet covid vijon beteja me virusin e rrezikshëm për të shpëtuar jetë, janë sërish infermierët, ekipet tona të palodhura të vaksinatorevë në të gjithë vendin, që po çojnë përpara shpresën për të dalë një orë e më parë nga tuneli i pandemisë, përmes një procesi shembullor të vaksinimit masiv ku deri më sot kemi kryer më shumë se 630 mijë vaksinime. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka kemi në dorë, për të realizuar planin tonë ambicioz të vaksinimit masiv; për të kryer 1 milion vaksinime brenda qershorit e për të përmbushur në pranverën e ardhshme, planin kombëtar të vaksinimit”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë vlerësoi infermierët në të gjithë sistemin shëndetësor, duke theksuar se punësimi i tyre me transparencë nuk do të ketë më kthim mbrapa.

“Sot, 3 vjet më vonë, e them me krenari se portali Infermierë për Shqipërinë është një histori suksesi dhe se nuk do të ketë më asnjëherë kthim prapa. Sepse janë punësuar më shumë se 3 mijë infermierë përmes këtij portali, të cilët sot e kanë një vend pune, falë dijes e zotësisë së tyre”, tha Manastirliu.