“Në çdo punim nevojitet gazmatësi dhe kontrolli ajrimit”, aksidenti i minatorëve në Martanesh

Minatori me iniciale SH.E ishte duke punuar 1800 metër në brendësi të minierës numër 40 në Thekën të Martaneshit, kur u asfiksua nga gazrat që lëshoi gjeneratori i prerjes së metalit.

50-vjeçari ishte duke prerë disa shina metalike në një nga nënkatet e galerisë, por mungesa e duhur e ajrimit bëri që ai të shfaqte problem në frymëmarrje. Në ndihmë të tij kanë shkuar dy minatorë të tjerë, të cilët në tentativë për të ndihmuar kolegun, janë hasur me gazin kimik të krijuar nga gjeneratori i punës.

Distanca nga hyrja e galerisë deri në vendin e aksidentit sipas burimeve të A2 Cnn ishte rreth 30 minuta në këmbë. Me probleme në frymëmarrje është paraqitur edhe infermeri i gatshëm për aksidentet në punë, pasi sasia e gazit ishte e lartë. Ndërhyrja e mjekëve të spitalit të Bulqizës me katër autoambulanca bëri të mundur dhënien e ndihmës së shpejt për minatorët si dhe nisja drejt kryeqytetit e punëtorit që u asfiksua më tepër nga lëndët kimike.

Kjo ka qenë dinamika e ngjarjes në minierën e Martaneshit e cila përfundoi fatmirësisht pa humbje jetësh. Por a mund të parandalohej ky aksident? Pedagogu i gjeologji minierave, Arben Bakiu thotë se në çdo proces pune rendësi të madhe kanë parametrat e ajrimit. Po ashtu, prezenca e gazmatësit është e nevojshme në zonat e galerive ku ajrimi natyral mungon dhe minatori mund të haset me shpërthime natyrore dhe aksidentale.

Të dhënat nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore tregojnë se vetëm gjatë tre viteve të fundit u plagosën 99 minatorë dhe humbën jetën 18 të tjerë. Nga numri total i aksidenteve në miniera të raportuara në Inspektoriati i Punës për vitin 2020, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM) inspektoi dhe hetoi vetëm 14 raste, thënë ndryshe gjysmën e aksidenteve të raportuara përgjatë vitit. Përgjegjësia për inspektimin e aksidenteve në miniera ndahet pikërisht mes dy institucioneve.