Rikthehen vrasjet mafioze, dy atentate dhe loja mes të rinjve u marrin jetën 3 personave

Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve dhe rikthimit të jetës normale politike, vendi është përfshirë nga një valë ekzekutimesh mafioze.

Everest dhe Silvana Çaka ranë pre e një atentati me silenciator në Elbasan, mbrëmjen e së martës. 42-vjecari mbeti i vrarë, ndërsa Silvana u plagos në dorë. Çaka ishte në makinë, kur u qëllua për vdekje nga atentatorët që lanë të plagosur bashkëshorten e tij dhe u larguan. Ngjarja dyshohet të jetë pasojë e një zinxhiri ekzekutimesh dhe ka lidhje me vrasjen e Gëzim Alikajt në vitin 2010, ku i dyshuari kryesor ishte vetë Çaka, i cili mban dy emra: Everest dhe Ibrahim. Për krimin e 11 viteve më parë, në nëntor të 2020, u vra në Belgjikë dhe kushëriri i Everestit, Arjan Spahiu. Kjo bëri që prokurorët belgë të mbërrinin në Elbasan, por vrasësit eleminuan një prej personave që mund të merrej në pyetje.

Viktimë e një ekzekutimi mafioz mbeti dhe Bledar Birçaj. Dy persona të maskuar dhe të armatosur e prisnin 38-vjeçarin në vendin e njohur si “Bishti i Kalldrëmit” në Vlorë. Një tjetër kamera sigurie tregon se Birçaj, veç agjentit të antidrogës, shoqërohej edhe nga një person tjetër kur iu pre rruga nga atentatorët. Nga verifikimet e policisë ai është Edison Zeneli, analist kredie në një bankë të nivelit të dytë. Prania e tij në makinë nuk është e rastësishme, pasi më herët Bledar Birçaj ka qenë drejtor i një banke në Vlorë. Pas marrjes në pyetje, asnjëri prej personave që udhëtonte me Birçajn nuk arriti të identifikonte vrasësit, ndërsa viktimës iu gjet dhe një pistoletë në brez. Bledar Birçaj rezulton të jetë vënë në pranga në vitin 2011 për një vrasje, por gjykata ka pushuar hetimet, duke e lënë të lirë. Kjo është një nga pistat e grupit hetimor, ndërsa Birçaj kishte një muaj që ishte kthyer nga Spanja.

Ngjarja e tretë tronditëse ishte ajo e mesnatës së të hënës, kur loja me armën e mbushur përfundoi tragjikisht në rrugën “5 Maji” në Tiranë. 28-vjeçari Marius Dema qëlloi nga pakujdesia shokun e tij Mehmet Qema, ndërsa plaga e marrë në gjoks i shkaktoi vdekjen 27-vjeçarit. Filmimet e kamerave të sigurisë tregojnë pak momente para se Dema të qëllojë, edhe pse shoku i tij i kërkon të largojë armën. Pasi u dorëzua, 28-vjeçari Marius Dema tha se nuk e kishte ditur se arma ishte e mbushur, ndërsa policia arrestoi dhe 4 persona të tjerë për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.