Shpresë për shpëtimin e pushimeve, Gjermania prezanton opsionet për udhëtimet gjatë verës

Dielli ka dalë në horizont për operatorët dhe strukturat turistike në Gjermani. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se vendi do të rihapet pasi rastet ditore me Covid-19 janë në rënie.

Disa qytete, përfshirë Berlinin, planifikojnë të zbusin kufizimet gjatë ditëve në vijim pas izolimit gjashtëmujor. Masat do të lehtësohen edhe për njerëzit që do të kthehen në Gjermani.

 “Do të pakësojmë kohën e karantinës me prezantimin e një rezultati negativ për Covid-19 me të mbërritur në vend. Ky është një lajm i mirë veçanërisht për prindërit që udhëtojnë në zona rreziku me fëmijët e tyre”, deklaroi Jens Spahn, ministër i Shëndetësisë në Gjermani.

Rajonet po aplikojnë një sistem me tri faza për rihapjen e ekonomisë, ndërsa do të ketë lehtësim të rregullave për baret dhe restorantet duke nisur nga qershori. Kjo mbështetet nga qeveria federale, por që kërkon të tregohet kujdes pasi kufizimet mund të rikthehen sërish nëse rritet niveli i përhapjes.

“Nëse ne do të kemi një verë të mirë ose jo do të vendoset nga 4 apo 5 javët e ardhshme.”

Prenotimet janë dyfishuar që prej prillit, me klientët në Gjermani dhe shtete të tjera të Europës që planifikojnë pushimet verore pas izolimeve të forta gjatë dimrit. Industria e turizmit, e goditur rëndë nga pandemia koronavirus, do të marrë dhe një shtysë tjetër gjatë javëve të ardhshme kur pritet që të hapen dhe më shumë destinacione. Me ecurinë pozitive të fushatave të vaksinimit, operatorët po shqyrtojnë mundësinë e zgjatjes së sezonit veror deri në tetor ose nëntor.