Incident në ceremoninë e faljes së Namazit, një person tentoi të vetëdigjej me benzinë

Një incident ka ndodhur pas ceremonisë së faljes së namazit në sheshin “Skënderbej”, ku një person është përpjekur t’i vërë flakën vetes.

Gazetari i A2 CNN, Armend Pire, raporton se bëhet fjalë për një 40-vjeçar, i cili në momentin kur sheshi po boshatisej tentoi t’i vërë flakën vetes me benzinë, duke mbajtur një libër kuranor në duar, por që është parandaluar nga besimtarët. Më pas ai është ndaluar nga forcat e policisë.

“Kam 20 vjet që luftoj në këtë jetë, sa andej sa këndej. S’ka Zot, s’ka Zot, s’ka Zot!”. Kështu është shprehur 40-vjeçari gjatë shoqërimit nga policia.

Përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman Shqiptar janë shprehur se ky veprim i tij ka ardhur për shkak të problemeve mendore, pasi një besimtar i devotshëm nuk mund ta bëjë këtë gjë.

Njoftimi paraprak i Policisë

Më datë 13.05.2021, rreth orës 07:05, në sheshin “Skënderbej” shtetasi B. G., rreth 40 vjeç, ishte lyer me benzine dhe dyshohet se kishte qëllim të vetëdigjet, por është ndaluar nga disa qytetarë aty në afërsi.

40-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr.1.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.