Studimi në “Lancet”: Miksimi i vaksinave Pfizer dhe Astra Zeneca shton efektet anësore

Një studim i universitetit të Oksfordit mund të qartësojë pasojat në organizëm të personave të vaksinuar me dy vaksina të ndryshme kundër pandemisë të koronavirusit.   

Të rriturit kanë më shumë gjasa të raportojnë efekte të lehta dhe të moderuara anësore pas përzierjes së dozave të vaksinës së Astra Zenecas dhe Pfizer.

Sipas një studimi të kryer nga Grupi për Vaksina në Universitetin e Oksfordit, efekte të tilla anësore si ethe, dhimbje koke dhe muskujsh, ishin më të shpeshta në rastet me kombinime të dy vaksinave.

“Janë gjetje vërtet intriguese, të cilat duhet thënë se nuk i kishim pritur”, thotë Matthew Snape, nga Grupi për Vaksina i Oksfordit.

Si pjesë e studimit që do të publikohet i plotë në qershor janë rekrutuar 830 vullnetarë mbi moshën 50-vjeçare. Sipas të dhënave paraprake që citohen nga revista shkencore “The Lancet” , kishte pasur temperaturë 1 në 10 vullnetarë që kishte marrë dy dozat e Astra Zenca 4 javë larg njëra-tjetrës, por në rastin e kombinimit të dy vaksinave, niveli pësonte rritje në 34 përqind.

E njëjta diferencë u vërejt edhe për simptomat e tjera, të tilla si ethet, lodhja, dhimbja e kokës dhe e muskujve.

Provincat kanadeze të Ontario dhe Kebek kanë thënë se planifikojnë përzierjen e dozave të vaksinave në të ardhmen, pas rritjes së pasigurisë për sigurim të vaksinave të Astra Zenecas dhe shqetësimeve për mpiksje të rralla.

Mbetet për t’ u thënë se efektet anësore kanë jetëzgjatje të shkurtër, dhe që nuk evidentohen pasoja të tjera më të rënda, por, siç thotë Snape, “studimi tregon që është më mirë, për shembull, që mos të vaksinohen infermiere me doza mikse në të njëjtën ditë, sepse mund të mos paraqiten në punë ditën tjetër”.