F1, anulohet Çmimi i Madh në Turqi. Dy gara në Austri

F1 AUSTRI 600x338

Ndryshon sërish kalendari i Botërorit të Formula 1. Për shkak të masave të reja shtrënguese, për të evituar përhapjen e pandemisë, është anuluar Çmimi i Madh i Turqisë. Gara që ishte programuar të mbahej më 13 qershor, do të zëvendësohet nga gara e dytë që do të zhvillohet në Austri.

Në cirkuitin e Spielberg, pilotët dhe konstruktorët e Formula 1 do të garojnë si më 27 qershor, ashtu edhe në datën 4 korrik. Në njoftimin zyrtar të Federatës Botërore të Automobilizmit thuhej se “vendimi është marrë për shkak të masave të reja shtrënguese me Turqinë që kanë vendosur disa shtete”.

Për shembull, në listën e Mbretërisë së Bashkuar, ku shumë skuderi të Formula 1 kanë selitë e tyre, Turqia është mes atyre vendeve në të cilat udhëtimi do të shoqërohej me 14 ditë karantinë.

Organizatorët e garës në Turqi, kërkuan shqyrtimin e mundësisë që eventi të spostohej më mbrapa në kohë, me shpresën se situata do të normalizohej. Kërkesë të ngjashme kishte bërë edhe Kina në fillim të këtij viti. Për të plotësuar datën e lirë, do të zhvillohen dy gara të njëpasnjëshme në Austri, teksa ndryshon edhe kalendari.

Çmimi i Madh i Francës do të afrohet me një javë, për t’u zhvilluar më 20 qershor. Kjo bën që të mbeten 23 garat e planifikuara për t’u zhvilluar në këtë edicion. Edhe pse situata do të mbetet në monitorim në shtete të ndryshme, Formula 1 do të rikthejë tifozët në tribuna.

Çmimi i Madh i Monakos gjatë fundjavës së ardhshme do të ketë deri në 40% spektatorë të pranishëm.