Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

KAS “ngec” edhe në Berat. PD, akuza Rusmalit për mbështetje ndaj Edi Ramës

Nga A2 CNN
14 Maj 2021, 16:39 | Politikë
KAS “ngec” edhe në Berat. PD, akuza Rusmalit për

As për Qarkun e Beratit nuk pati një vendim mbi ankimet e bëra nga opozita. Pesë anëtarët e KAS kërkuan më shumë kohë për të parë provat e paraqitura nga palët ankimuese. Mbledhja u shoqërua me akuza për mbështetje politike të anëtarëve të Komisionit ndaj Partisë Socialiste.

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) nuk mundi të marrë një vendim për rezultatin e Qarkut të Beratit. Orët e gjata të mbledhjes nuk prodhuan rezultat mbi kërkesat ankimore të PD-së dhe LSI-së për të shpallur të pavlefshëm rezultatin në Qarkun e Beratit, por vetëm akuza politike ndaj anëtarëve të KAS.

Partia Demokratike parashtroi akuzat e saj për blerje votash, duke pasur si bazë paditë e bëra në SPAK dhe kërkoi nga KAS të marrë informacione nga Prokuroria e Posaçme.

Marash Logu u shpreh: “PD nuk është as polici, as prokurori. Cila është arsyeja që ju refuzoni të merrni këto prova?”.

Ilir Rusmali u përgjigj: “Do ta bëj edhe këtë pyetje”.

Logu kundërpërgjigjet: “Jo, nuk e bëni se dje votuat kundër kërkesës sonë”.

LSI pretendon se brenda kutive të Beratit është fshehur mandati i saj, të cilin e humbi për një grusht votash, duke i konsideruar si tendencioze pyetjet e anëtarëve të KAS: “A mund të bëni një kuantifikim të këtyre numrave që ju sollët, janë 100 apo janë 1000?”

Altin Kaziaj tha: “Duhen 77 vota dhe norma lexohet në frymën e ligjvënësit dhe jo në interesa të caktuara”.

Provat e paraqitura nga palët u cilësuan të pavlefshme nga përfaqësuesi i PS-së në KQZ, duke etiketuar pretendimet si një farsë proceduriale. Eridina Salianji theksoi: “Pjesë e këtyre grupeve të numërimit janë edhe anëtarët e opozitës. Këtu nga një fjalim po kthehet në një teatër”. 

Situata e krijuar u shfrytëzua për ngacmime në adresë të anëtarit Rusmali, dikur eksponent i demokratëve. Por, Rusmali tha: “Të mos bëjmë komente për njëri-tjetrin. Nuk ka nevojë që nën emërtimin prapsim të përsëriten ndërhyerjet e bëra edhe një herë tjetër. Se nuk është në rastin tonë “përsëritja, mëmë e dijes”, është mëmë e bezdisë”.

“Ju, zoti Rusmali, kërkuat që të mos kalojmë në përsëritje dhe bezdisje. Partia Demokratike të mos kalojë, Partia Socialiste të kalojë në përsëritje”, u shpreh Logu.

Ashtu si në rastin e ankimeve për Gjirokastrën, KAS nuk mundi të merrte vendim dhe mbledhja u shty për të vijuar në fundjavë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë