Ulen ndjeshëm të ardhurat e shqiptarëve, Civici: Problem strukturor. Sulçe: Ndikuan masat gjatë pandemisë

Pandemia uli ndjeshëm të ardhurat e shqiptarëve, duke goditur veçanërisht shtresat më të prekshme. Sipas një raporti të Bankës Botërore, kriza bëri që 112 mijë shqiptarë më shumë të bien nën kufirin e 5,5 dollarëve në ditë; niveli më i lartë në rajon.

“Ky raport evidenton dy probleme të rëndësishme që kanë lidhje me varfërinë në Shqipëri. Problemi i parë është konjukturor, i cili lidhet direkt me efektin e tërmetit të 26 nëntorit dhe mbi të gjitha pandemia, e cila u trajtua. Mendoj se përtej kësaj, kemi një problem strukturor. Sa herë llogaritet niveli i varfërisë, 40-50% e popullsisë shqiptare gjendet pak mbi vijën e varfërisë, me 6-7 apo 10 dollarë në ditë. Kjo tregon që është një shtresë shumë vulnerabël dhe mund të goditet nga kriza të vogla”, kështu u shpreh në Ditarin e orës 13:00 Ardian Civici, ekspert për ekonominë.

Ndërkohë, për producenten ekzekutive për Biznesin në A2, Aurora Sulçe, problemi lidhet me mbështetjen e paktë financiare që qeveria dha për të gjitha shtresat në nevojë. “Kishim dy paketa që u dhanë për ata që mbetën të papunë për shkak të pandemisë. Disa kategori nuk u përfshinë, si ata që punojnë në të zezë”, u shpreh Sulçe.