“Një mesazh për rivalin e Bashës”, Spahiu: Zbrit nga Titaniku dhe ruhu nga i mbyturi

Kreshnik Spahiu 1100x620

Lideri i Aleancës Kuqezi Kreshnik Spahiu ka komentuar vendimin e Anëtarit të kryesisë së Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli për të kandiduar për postin e kreut të PD-së.

Duke e cilësuar si “mik prej 30 vitesh, pavarësisht se kemi qenë kundërshtar politik”, Spahiu i kërkon atij të tërhiqet nga vendimi politik, për një sërë arsyesh.

“Unë sot po i dërgoj një SMS Bardh Kadillit me arsyet pse duhet tërhiqet nga përpjekja e tij për tu bërë lider i Partisë Demokratike. Ai duhet të tërhiqet sepse ajo nuk është më partia e rinisë dhe studentëve që përmbysën komunizmin sepse 377 themeluesit e saj janë përjashtuar 100% dhe i kanë hedhur rrugëve. Ai duhet tërhiqet sepse kjo nuk është garë me Lulzim Bashën por me Sali Berishën. Ai duhet japë dorëheqje se në Parti Demokratike s’ka pas kurrë zgjedhje: as kur e larguan Ed Selamin refugjat në Amerikë, as kur i hoqën imunitetin Azem Hajdarit, as kur sulmuan Sokol Olldashin, as kur rrahën Neritan Cekën, as kur masakruan Arben Imamin, as kur hodhën rrugëve Gramoz Pashkon, as kur akuzuan Topallin dhe Patozin. Ai duhet tërhiqet sepse aty nuk do zhvillohen zgjedhje por një përsëritje e skenarit 2017 Basha-Selami ku do garohet dhe kutitë do mbushen”, thotë ndër të tjera Spahiu.

Ish-nënkryetari i KLD-së shtoi se “Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe jo riciklim. Shqiptarët kanë nevojë për një opozitë të re e cila mund të krijohet sa më shpejt që të fundoset PD” dhe se Kadilli “duhet tërhiqet dhe të zbres urgjent nga Titaniku dhe ta lërë kapitenin plak dhe violinistin të mbyten të fundit. Ka marr aq shumë vrima ajo anije dhe do zhytet me shpejtësi”.