Hoxha zbulon çfarë ndodhi në Këshillin Kombëtar: 10 persona tentuan të largohen, Kadillit deshën t’i ndërprisnin fjalën

Përditësuar më: 17/5/2021, ora 10:28

Hoxha zbulon çfarë ndodhi në Këshillin Kombëtar: 10 persona tentuan të largohen, Kadillit deshën t’i ndërprisnin fjalën

Përditësuar më: 17/5/2021, ora 10:28

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Indrit Hoxha, i cili është pjesë dhe e grupimit të ri “Për PD” që kërkon dorëheqjen e Lulzim Bashës, ishte i ftuar në “Dita jonë” ku solli detaje nga mbledhja e një ditë më parë e strukturave të kësaj partie.

Indrit Hoxha u shpreh se Lulzim Basha duhet të tregohet i sinqertë dhe t’u thotë demokratëve që i ka humbur zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas tij, gjatë mbledhjes kishte persona që kërkuan t’i ndërprisnin fjalën Fatbardh Kadillit. Për këtë arsye, Hoxha kërkoi një reagim të shpejtë që të shmanget shkatërrimi i PD-së, ku vetëm gjatë mbledhjes së djeshme për pak u larguan 10 anëtarë të Këshillit.

“Z.Nishani mbajti një fjalim brilant në Këshill. Aty ishin krijuar kushtet që nuk ishte më Parti Demokratike, por ishte si në pleniumet e Partisë Komuniste. Nuk kishte mikrofona, podium ku të flisje, por ishte thjesht një sallë ku do të fliste kryetari i partisë dhe sekretari i përgjithshëm. Kritikët nuk u dëgjuan. Pati incidente gjatë fjalës së zotit Kadilli, ku persona që nuk ishin fare pjesë e Këshillit Kombëtar u munduan ta intimidojnë dhe t’i ndërprisnin fjalën.

PD-ja i ka humbur këto zgjedhje. E pyeta zotin Basha nëse do të shkonte në shtator dhe të betohej përpara zotit Ruçi në parlament dhe përgjigjja ishte po. Atëherë themi do hyjmë në parlament, por nuk njohim rezultatin, kësaj i bie të tallemi me demokratët. Ka ndodhur diçka shumë e rëndë brenda listës së 25 prillit. 3 deputetë që morën mandatet, kundër një vendimi politik të PD-së u akuzuan personalisht nga Basha si të blerë nga Rama për të legjitimuar parlamentin, zoti Basha i mori sërish dhe i futi në listë.

Basha ka 4 herë që thotë zgjedhjet m’i vodhi Rama. Ne duhet t’i themi demokratëve që Edi Rama e ka pushtetin dhe për 4 vite ne nuk duhet t’i mashtrojmë demokratët. Të merremi me shtëpinë tonë që po shkatërrohet çdo ditë. Vetëm dje donin të largoheshin 10 vetë nga Këshilli Kombëtar”, tha Hoxha.