Programi qeverisës në Kuvend, Kurti: Kosova si palë e barabartë me Serbinë në dialog

KR PROGRAMI KOSOVE frame 2336 1100x620

Doli para deputetëve për të prezantuar programin qeverisës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, premtoi investime në shëndetësi, arsim, skema sociale, veting në drejtësi dhe zhvillim ekonomik, ndërsa tha se vendi është në rrugë të mirë drejt vaksinimit të 60 për qind të popullatës ndaj Covid-19 deri në fund të vitit.

Dialogu me Serbinë, ishte pika që ndezi debat në sallë.

“Kosova e pranon dialogun si palë e barabartë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura sikurse zbardhja e fatit të personave të pagjetur, të zhdukur me dhunë, dëmet dhe borxhet e luftës, repreacionet”, u shpreh Kurti.

Lum kritikash erdhën nga opozita për programin e qeverisë Kurti.

“Ky program flet për mjerimin e qeverisë Kurti, është një program mediokër, është një paçavër”, tha kreu i PDK, Hoxhaj.

“Do të ishte shumë më reale, po ashtu, sikur ky program, do të tregonte synime më reale në sigurimin e ndonjë njohjeje, në anëtarësimet në Interpol, UNESCO e organizata të tjera ndërkombëtare”, deklaroi Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK.

Duke folur për drejtësinë si prioritet, kryeministri Kurti u zotua të padisë Serbinë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“E për drejtësinë e vonuar të krimeve serbe gjatë viteve 1998-1999 më në fund do të themelojmë institutin për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe do të ngrejmë padi ndaj Serbisë për gjenocid të kryer në Kosovë në GJND”, shtoi Kurti.

LDK e këshilloi Kurti të kenë shumë kujdes me këtë temë dhe e paralajmëroi se dështimi nuk është opsion.