Turku i kriptomonedhave që dyshohej se fshihej në Shqipëri, nuk veproi i vetëm, në kërkim dhe 3 persona

Publikuar më: 17/5/2021, ora 13:38
thodex Faruk Fatih Özer 1024x576

Turku i kriptomonedhave që dyshohej se fshihej në Shqipëri, nuk veproi i vetëm, në kërkim dhe 3 persona

Publikuar më: 17/5/2021, ora 13:38

Mediat turke kanë raportuar këtë të hënë se Faruk Fatih Özer, menaxheri i miliona kriptomonedhave “Thodex”, nuk ka vepruar i vetëm. Në hetimet e autoriteteve turke për këtë çështje janë shpallur në kërkim edhe 3 persona të tjerë.

Faruk Fatih Özer u arratis nga Turqia më 20 prill me 108 milionë dollarë dhe dyshohet se ka qëndruar për një periudhë edhe në Shqipëri.

Sipas mediave turke, në kërkim është shpallur edhe krijuesi i programit Oral Çınar, Rana Azap që punonte në departamentin e financave dhe Zuhal Özer, kunata e Özer.

Këta tre persona u morën fillimisht në pyetje, ku deklaruan se nuk ishin në dijeni të mashtrimit dhe u lanë të lirë, ndërsa tashmë janë shpallur në kërkim. Güven Özer, vëllai i Faruk Fatih, tha se kompania nuk kishte asnjë lidhje me Thodex, por ishte një kompani këshilluese reklamash. Ai dëshmoi se Faruk Fatih i kishte kërkuar të hapte një llogari, por ai nuk e kishte idenë se për çfarë bëhej fjalë.

Në fillim të majit, burime zyrtare pranë policisë konfirmuan për A2 se dyshohet se Faruk Fatih Ozer mund të fshihet ende në Shqipëri në atë kohë, kjo pas zbulimit të itinerarit që ai ka ndjekur.

Sipas të dhënave të policisë, por edhe mediave Turke, Özer fluturoi për në Tiranë me një biletë që e bleu nga një kompani ajrore shqiptare.

Ai u prit në Tiranë nga një çift shqiptarësh me të cilët kishte krijuar kontakte gjatë vizitës së tyre në Turqi. Fillimisht, ai dyshohet se qëndroi në zonën e pazarit të ri në banesën e çiftit shqiptar e më pas te Myslym Shyri pasi në media qarkulloi se ai ishte përfshirë në listën e të kërkuarve të Interpol.

Nga këtu dyshohet se Ozer ka qëndruar në një hotel në zonën e Zogut të Zi, ndërsa dy netët e tjera në një hotel pranë ish-21-dhjetorit. Policia shqiptare ka informacion se prenotimi i hotelit ishte bërë nga çifti shqiptar të cilët janë marrë në pyetje, por nuk kanë dijeni mbi vendndodhjen e të riut miliarder.