Vijon lufta Izrael-Hamas, dita më e përgjakur në Gaza, shënohen 42 viktima

E diela shënoi ditën më të përgjakur që prej rindezjes së konfiktit mes Izraelit dhe Hamasit. 42 persona u vranë në sulmet ajrore të Tel Avivit në rripin e Gazës, ndërsa ushtria tha se militantët palestinezë kishin lëshuar më shumë se 3 mijë raketa në drejtim të Izraelit gjatë javës së fundit.

16 gra dhe 10 fëmijë ishin mes viktimave të sulmeve ajrore të së dielës në Gaza. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres paralajmëroi se rajoni do të zhytej në një krizë të pakontrollueshme, nëse luftimet nuk ndaleshin.

“Vala e fundit e dhunës vetëm sa i bën të pandalshme ciklet e vdekjes, shkatërrimit dhe dëshpërimit dhe shtyn më larg në horizont çdo shpresë për bashkëjetesë dhe paqe. Luftimet duhet të ndalen. Raketat dhe mortajat në njërën anë dhe bombardimet ajrore dhe artilerie nga ana tjetër duhet të rreshtin”, u shpreh Antonio Gueterres.

Sulmet ajrore izraelite goditën një rrugë të populluar të Gazës pak pas mesnatës të së dielës duke rrëzuar të paktën 3 ndërtesa e duke shkaktuar dhjetëra viktima. Hamasi u kundërpërgjigj me një seri raketash, ndërsa miliona izraelitë vrapuan drejt vendstrehimeve të sigurta, teksa sirenat binin pa pushim.

Në rripin e Gazës, shumë qytetarë nuk kanë ku të fshihen, ndërsa popullsia ështe e dendur dhe resurset mungojnë.

“Vrapova për të parë vajzat; gruaja ime kërceu mbi to, i përqafoi dhe u përpoq t’i nxirrte nga dhoma. Por pas shpërthimit të parë, pati një të dytë, dhe ndjemë se tavani u shemb. Une mbeta në rrënojë. Gruaja u shtri në dysheme dhe një bllok betoni i ra në kokë. Ato ishin momentet e fundit të saj”, u shpreh një i mbijetuar.

Vetëm një prej vajza të tij, Suzy i shpëtoi sulmit. Bashkëshortja dhe tre fëmijët humbën jetën. Ushtria izralite tha se kishte goditur një tunel të përdorur nga militantët, por shembja e tij kishte shkatërruar edhe banesat që gjendeshin sipër. Kryeministri Izraelit Benjamin Netanyahu e bëri të qartë se sulmet do të vijonin me gjithë fuqinë. Që në orët e para të së hënës, avionë lufte ndërmorën 80 sulme ajrore në zona të ndryshme të Gazas.