Zgjedhjet për kryetar, komisioni zgjedhor i PD publikon kriteret për kandidatët

Komisioni zgjedhor i Partisë Demokratike ka bërë publike kriteret që duhet të plotësojnë personat të cilët do të kandidojnë për kryetar të PD.

Ajo që bie në sy nga 6 kushtet e vendosura  është kontributi që kandidati duhet të ketë dhënë në fushatën elektorale, një kriter që mund t’i mbyllte dyert atyre që konsiderohen si kritikë të Bashës.

I pyetur nga  A2 CNN në lidhje me penalizimet që rrezikojnë kandidatët, kreu i komisionit zgjedhor Jemin Gjana shpjegoi se nuk bëhet fjalë për përjashtim.

Jemin Gjana

“Besoj që biem dakord që partitë janë organizata elektorale, që punojnë 4 vjet për të korrur suksesin e tyre në fushatë, pra pjesëmarrja në fushatë nuk mund të jetë kriter i përjashtuar, por as përjashtues”, deklaroi ai.  

Pasi kandidatët të kenë plotësuar kriteret ata duhet të plotësojnë formularin ku do të deklarojnë të dhënat personale, ato mbi gjendjen gjyqësore dhe të dhënat mbi veprimtaritë politike nga viti 1944 deri në  1991 që përkon me periudhën e diktaturës komuniste.

Mbledhja e radhës e këtij komisioni do të jetë në datën 20 Maj kur do të vendoset për komisionet e votimeve, për kohëzgjatjen e procesit, si dhe për listat e anëtarëve me të drejtë vote, që do të kenë mundësitë zgjedhin më 13 qershor kryetarin e Partisë Demokratike.