Raporti i INSTAT, janar-prill, rritet numri i aksidenteve rrugore me pasojë vdekjen

aksidenti 1100x620

Aksidentet rrugore mbeten në shifra të larta edhe për vitin 2021. Nëse 2020-ta prodhoi pak kronika të zeza edhe për shkak të kufizimeve nga pandemia, në katër muajt e parë të këtij viti, vendi i është rikthyer trendit në rritje të aksidenteve me pasojë vdekjen.

Në raportin e INSTAT në 4 muajt e parë të vitit kanë regjistruar plot 70 viktima, 30% më shumë se përiudha janar-prill e vitit 2020. Shifrat vijnë në rritje prej vitit 2018, ku në të njëjtën periudhë numri i aksidenteve me humbje jete ishte 61 viktima, pothuajse e njëjtë edhe në vitin pasardhës.

2020 solli uljen në 49 viktima, e kushtëzuar nga mbyllja totale në muajt mars e prill, ndërsa sot, kur ka kaluar 1/3 e vitit, numri i jetëve të humbura nga aksidentet shënon rritje të ndjeshme. Shkaqet nisin nga përdorimi i alkoolit që gjithsesi ka pasur ulje e deri te sjellja e këmbësorit, ku referuar gjithmonë katërmujorit të parë, është bërë burim aksidentesh në 19.2% të rasteve.

Fatalitetet janë në rritje edhe aktualisht në muajin maj, ku kanë humbur jetën plot 16 persona. Viti 2016 shënoi kulmin e aksidenteve rrugore, me 2032 të tillë dhe me një numër rekord vdekjesh, plot 2778 persona.

Vitet pasardhëse kanë shënuar ulje të ndjeshme, duke kulmuar në 12 muajt e fundit të cilat kanë qenë më të qetat e dekadës së fundit. Megjithatë ndërsa vendi i rikthehet normalitetit, 2021-shi po shfaq shifra shqetësuese në gjysmën e parë të vitit, numra të cilat e rendisin Shqipërinë ndër vendet me numrin më të lartë të vdekjeve nga aksidentet në rrugë në raport me popullisnë.