Bien pretendimet për Vlorën. KAS rrëzon sërish opozitën, PS pranon rinumërimin e Beratit

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve rrëzoi pretendimet e opozitës për pavlefshmëri zgjedhore në Qarkun Vlorë. Me vota të ndara, 3-2, pesë anëtarët e KAS vendosën kundër PD-së dhe LSI-së, duke lënë në fuqi ndarjen e mandateve për këtë qark, 8 për Partinë Socialiste dhe 4 për Partinë Demokratike. Ndërsa për Qarkun e Beratit, PS dha dakordësinë që të rinumërohen kutitë e kontestuara nga LSI.

Opozita nuk mundi të fitojë betejën ligjore as për Qarkun Vlorë. PD dhe LSI nuk bindën anëtarët e KAS për pavlefshmëri zgjedhore në këtë qark. Si provë të re kishin të dhënat e pajisjes së identifikimit elektronik, ku dyshohej për votim të shumëfishtë.

Marash Logu u shpreh: “Një shenjë e gishtit një herë në Qarkun Vlorë, një herë në Qarkun Berat. Ndërkohë, me numër rendi 19, shohim se i njëjti person ka votuar një herë në Bashkinë Konispol dhe një herë në Bashkinë Sarandë”.

Anëtari Ilir Rusmali nuk ishte i bindur nga të dhënat e pajisjes, duke i konsideruar ato si dyshime: “Prova nuk provon se ka ndodhur ky skenar. Nëse prova do të provonte se ka ndodhur ky skenar, ju do të ishit njeriu më i lumtur në botë, do të kërkonit fjalën me nxitim, do të më ndërprisnit fjalën mua. Kjo është një gjë që edhe fëmijët e marrin vesh”.

Etika në mbledhje sërish nuk u arrit të respektohej, ku diskutimet kaluan në rrafshin personal.

“Sigurisht, unë besoj se kam aq inteligjencë, pavarësisht se kolegu Logu ka dyshime të mëdha për inteligjencën time, që të kuptoj që hipoteza që zoti Logu thotë këtu dhe në media, që rezulton e provuar dhe për të nuk rezulton e provuar”, tha Rusmali.

Marash Logu u përgjigj: “Një person që është e kundërta e asaj që na u proklamua, besoj nuk e ka tagrin për të bërë leksione etike dhe leksione morale. Nuk do të flasim këtu për inteligjencën e zotit Rusmali, as për jetëgjatësinë e tij”.

Si ngushëllim për humbjen e betejës për Vlorën, përfaqësuesit e opozitës morën rinumërimin e 114 kutive të Qarkut të Beratit, ku LSI fërkon duart për të gjetur 77 vota, në mënyrë që të marrë mandatin e pestë nga zgjedhjet e 25 prillit.