“Dosja u përgatit në Tiranë”, Gjylameti: Deklaratë e pamenduar mirë nga Berisha, dalje nga binarët për momentin

“Ndër vite në Shqipëri, për shkak edhe të drejtësisë së kapur, në shumë raste nuk ka pasur drejtësi, shumë herë të dhimbshme për shqiptarët, si Gërdeci apo “21 janari”. Sot jemi në një moment që kemi një drejtësi të pavarur nga politika”.

Kështu u shpreh në Ditarin e mesditës në A2 Blerina Gjylameti, nga PS. Sa i përket akuzave të Berishës, se dosja është përgatitur në Tiranë, Gjylameti e hodhi poshtë kategorikisht një gjë të tillë.

“Nuk e di si mund të interpretohet një deklaratë e tillë, e cila mendoj se është një dalje nga binarët për momentin, por nuk mendoj se është diçka e mirëmenduar me një logjikë të pastër. Nuk mund ta mendojmë se Sekretari i Shtetit mund të përgatisë një deklaratë të tillë, në bazë të një informacioni që i çon një shtet përkatës”, u shpreh Gjylameti.

Për Gjylametin, nëse drejtësia shqiptare do të kishte qenë e pavarur nuk do të kishim persona të shpallur non grata nga SHBA.

“Nëse do të kishim pasur një drejtësi të pavarur do të kishim marrë përgjigje për shumë situata që kanë dëmtuar interesin e Shqipërisë ndër vite. Nuk besoj se do të kishim ardhur deri në këtë pikë që të kishim të shpallur “non grata” njerëz të një niveli të lartë politik”, u shpreh Gjylameti.