KAS përfundon numërimin e votave për Beratin: Rezultati nuk ndryshon

Publikuar më: 21/5/2021, ora 19:01

KAS përfundon numërimin e votave për Beratin: Rezultati nuk ndryshon

Publikuar më: 21/5/2021, ora 19:01

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve mbylli të gjitha pretendimet e palëve për qarkun e Beratit. Pas rinumërimit të 114 kutive të kërkuara nga LSI, rezultati nuk ndryshoi por u ngushtua diferenca ndërmjet PS-së dhe LSI-për në 58 vota për një karrige deputeti.

Hetimi i kutive të Beratit nuk ndryshoi rezultatin në ndarjen e mandateve. 114 kutitë e rinumëruara ngushtuan me 19 vota diferencën mes PS dhe LSI, të pamjaftueshme për të kaluar mandat parlamentar nga njëra forcë te tjetra.

Për dy ditë administrata e KQZ veshi rrobat e numëruesit të votave ndërsa salla e mbledhjeve u kthye në një KZAZ. Partitë politike bënë sytë katër me vëzhguesit e tyre, për të kapur çdo parregullsi të numëruesve partiak.

Përfundimi i rinumërimit kthjelloi tabelën e rezultatit por jo qëndrimet politike. Menjëherë pasi kutitë u rimbollën, erdhën edhe akuzat. PD shkoi tej akuzave politike duke folur për kërcënim të vëzhguesve të saj nga socialistët.

”Joana Melengu kërcënoi vëzhguesen e PD. U kap në 20 prill duke shpërndarë ndihma nga rezervat e shtetit”, deklaroi avokati i PD, Marash Logu.  

Kutitë e Beratit ishin një test për anëtarët e KAS. Tashmë në radhë janë ankimet për Durrësin ku edhe për këtë qark, është kërkuar rinumërimi i fletëve të votimit.