Pak orë nga armëpushimi në Gaza, rifillojnë përleshjet në Jerusalem

Policia izraelite dhe protestues palestinezë janë përleshur në sheshin para xhamisë Al-Aqsa në Jerusalemin lindor.

Policia izraelite tha në një deklaratë se nisi një protestë nga palestinezët sapo përfundoi falja e së premtes. Qindra vetë, tha policia, hodhën gurë dhe koktej molotov ndaj policëve të vendosur aty pranë.

Si kundërpërgjigje, efektivët u futën në hapësirën e xhamisë dhe sipas dëshmitarëve pati goditje me plumba gome dhe gaz lotsjellës.

Përleshja vjen vetëm pak orë pas arritjes së një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, ku palët lëshonin bomba ndaj njëra-tjetrës prej 11 ditësh. Konflikti në Gaza nisi pikërisht pas përleshjeve disaditore në Jerusalem.