Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

''Absolut 4'': Çfarë demokracie premtohet për PD?

Nga A2 CNN
25 Maj 2021, 22:52 | Politikë
''Absolut 4'': Çfarë demokracie premtohet

“Tentativa për tërheqjen e padisë për zgjedhjet lokale”, Jordan Daci: Të gjithë Haxhi Qamilët do të përballen në gjykatë

Juristi Jordan Daci, përfaqësuesi i shoqatës së bashkive të djathta që ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e zgjedhjeve lokale të vitit 2019, ishte i ftuar në Absolut 4 ku foli në lidhje me tentativën sipas tij për të marrë kontrollin e kësaj shoqate nga disa kryetarë bashkish të majta me qëllim për të tërhequr padinë.

Daci tregon për një lëvizje nga ana e Këshillit të Ministrave, përmes sekretares, që kërkon informacion në lidhje me shoqatën.

Sipas juristit, kjo kërkesë nuk është e rastësishme por ka si qëllim final tërheqjen e padisë për pavlefshmërinë e zgjedhjeve lokale. Ai tha se kësaj çështje do t’i shkohet deri në fund pasi ka interes të gjerë, madje dhe ndërkombëtar.

“Janë dy shoqata të pushtetit vendor. Njëra drejtohet nga zonja Ademi dhe përfaqëson bashkitë e djathta dhe tjetra me bashkitë e majta. Tradicionalisht kanë qenë të ndara. Pas bërjes së kërkesas nga ana jonë ka pasur një lëvizje nga Këshilli i Ministrave, i cili tentoi për të kërkuar gjoja informacion dhe që kishte të bënte me mundësitë e ndërhyrjes në drejtimin e shoqatës dhe si qëllim final është dhe tërheqja e mundshme e kërkesës që kemi bërë në Kushtetuese. Kryetarët që kërkojnë të marrin pjesë në shoqatë janë pikërisht ata që kundërshtohen nga kjo shoqatë në Kushtetuese.

Ne i konsiderojmë ata të paligjshëm dhe për këtë arsye nuk mund të jenë as anëtarë të shoqatës. Ata janë zgjedhur në mënyrë jokushtetuese dhe për këtë arsye ne i jemi drejtuar gjykatës. Është nevojë kombëtare që kjo çështje të marrë trajtim. Për më tepër ata që përpiqen të bëjnë një gjë të tillë nuk do kenë shanse ta bëjnë një gjë të tillë. Duket shumë qartë dhe nga pala e interesuar që ishte këshilli i ministrave, ku u kërkua të merrej informacion. Është e qartë që ka një tendencë. Gjykata ka të drejtë ta trajtojë një çështje edhe kur kërkuesi tërhiqet”, u shpreh Daci në Absolut 4.

“Fushata për kreun e PD, e pabarabartë”, Ristani: Edhe këtë garë Basha e nisi me hile

Arben Ristani, ish-sekretar i përgjithshëm në PD, ishte i ftuar mbrëmjen e së martës në “Absolut 4” nga ku u shpreh se fushata e kandidatëve për kryetar të PD në zgjedhjet e 13 qershorit ka nisur në mënyrë të padrejtë nga Lulzim Basha.

Ai theksoi se takimi i sotëm i Beratit i Lulzim Bashës nuk ishte i pari, pasi sipas Ristanit, kreu aktual i PD shfrytëzoi për fushatë disa takime pas zgjedhjeve të 25 prillit.

“PD ka dalë me një humbje të thellë në zgjedhje dhe është një moment rimarrje forcash. Ai i Beratit nuk është takimi i parë i Bashës. Ai ka nisur si gjithmonë me hile edhe këtë garë, duke deklaruar se do të nisë një tur faktmbledhës për zgjedhjet, por bëri disa takime në disa qytete, të cilat ishin takime në funksion të garës për kryetar, duke marrë një avantazh të padrejtë ndaj kandidatëve të tjerë”, u shpreh Ristani.

Më tej, ai i theksoi se gara në PD është e disbalancuar, pasi Basha tërheq drejt vetes favore.

“Mund t’iu them se është një garë e disbalancuar, ku Basha tërheq drejt vetes favore. Ai largoi nga gara në mënyrë të padrejtë zotin Elezi. Arsyetimi ishte i padrejtë. Nuk iu dha kandidatëve të lenë listën e votuesve. Imagjinoni një parti të hyjë në garë pa pasur listën e votuesve. Edhe të tjerët, po ashtu si Basha, duhet ta kenë këtë listë. Mbi 200 persona në qendrat e votimit do ta marrin këtë listë, ndërsa kandidatët jo”, u shpreh Ristani.

Lumezi: Basha tenton rizgjedhjen si kryetar me të njëjtat mjete për të cilat akuzoi mazhorancën

Aristir Lumezi, zv.kryeredaktor i gazetës “Panorama” ishte i ftuar në “Absolut 4” nga ku u shpreh se pas humbjes Basha dhe kryesia duhej të dorëhiqeshin.

Lumezi shton se fakti që ai nuk dha dorëheqjen tregon se Basha nuk ka kuptuar asgjë nga ajo që ka ndodhur në këto zgjedhje dhe kërkon rizgjedhjen si kryetar i PD me të njëjtat forma siç akuzoi mazhorancën, pra duke përdorur pushtetin në parti.

“Kemi këtë rezultat. Një rezultat humbës. Nga ky moment fillon analiza te PD. Analiza duhej të niste me dorëheqjen e Bashës dhe të forumeve, të paktën të kryesisë dhe t’i hapte rrugën një procesi zgjedhor. Analize në radhë të parë dhe pastaj procesi sepse nëse nuk kupton se nga erdhi humbja, kush ishin arsyet dhe shkaqet që të çuan në këtë rezultat, atëherë kot ndërrojmë emrat, hajt rizgjedhim të njëjtët persona dhe vazhdojmë zgjedhjet e ardhshme që janë një pikëpyetje e madhe përsëri.

Fakti që Basha nuk tentoi të jepte dorëheqjen por e pranoi më kujton dhe rastin e PS dikur, kur Rama nuk dha dorëheqjen kur e kërkonte Blushi. Do të thotë që nuk ka kuptuar asgjë nga ajo që ka ndodhur në këto zgjedhje dhe kërkon me të njëjtat forma dhe të njëjtat mjete siç akuzoi mazhorancën, pra duke përdorur pushtetin në parti tenton rizgjedhjen e tij në pozita të disfavorshme për sfidantët e tij.”, u shpreh Lumezi.

“Manipuluan dhe zgjedhjet e kaluara në parti”, Ristani: Basha po sillet si autokrat jo si demokrat

I ashpër ka qenë ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani në Absolut 4 ndaj kryetarit të partisë, Lulzim Basha.

Ristani tregon se në mbledhjen e fundit të Kryesisë, kandidatët e tjerë kërkuan që disa takime të organizohen në formë debati, por kjo gjë u refuzua.

“Disa nga kandidatët kërkuan në mbledhjen e Kryesisë që të paktën në 4 qarqe kandidatët të ishin bashkë dhe të zhvillonin garën përballë anëtarësisë bashkë, duke e kthyer në një debat, në mënyrë që edhe votuesi t’i kishte përballë dhe të shikonte diferencat e tyre. Basha nuk i ka qejf përballjet dhe nuk pati një argument të qenësishëm për ta rrëzuar kërkesën. Kjo kërkesë u bë dhe nga Zonja Harxhi. Njësoj si Basha i kërkonte Ramës një debat përpara zgjedhjeve. Ky është paradoksi”, tha ish-sekretari i PD.

Më tej, Arben Ristani tha se strukturat aktuale të partisë janë nën varësinë e kryetarit aktual. Ai përmendi zgjedhjet e fundit në PD, ku sipas tij pati dhe raste të manipulimit të rezultatit. Ristani e akuzoi Bashën se po sillet si autokrat dhe jo si demokrat.

“Strukturat janë nën varësinë e kryetarit dhe një pjesë e nënkryetarëve janë të emëruar. Kështu që vendosen në vështirësi t’i përgjigjen kandidatëve të tjerë. Madje në zgjedhjet e kaluara ka pasur edhe vështirësi apo manipulim në rezultatet e votimit. Nëse ecim në këtë mënyrë shqiptarët ndjehen të degustuar me këtë lloj politike dhe i fusin të gjithë në një thes, ndjehen të papërfaqësuar. Duhet të japim një shembull të mirë. Për fat të keq na ka zënë rrugën ky kryetar që kemi që nuk po sillet si demokrat, por si autokrat”, përfundoi Ristani.

“Patronazhistë ka dhe PD”, Ristani: Problem nëse të dhënat kanë dalë nga ndonjë institucion

Në emisionin Absolut 4 është diskutuar dhe për çështjen e të ashtuquajturve patronazhistë, të cilët gjatë fushatës elektorale u përmendën shumë nga opozita dhe shoqëria civile dhe shumë e cilësuan si një shkelje shumë të madhe nxjerrjen e të dhënave, e cila mund të ketë çuar dhe në deformim të rezultatit zgjedhor.

Por Arben Ristani u shpreh se një strukturë të ngjashme “patronazhistësh” e ka dhe Partia Demokratike. Sipas tij, partitë në fushata operojnë në këtë mënyrë, duke mbledhur të dhëna dhe krijuar listën e votuesve të tyre.

Ristani shtoi se problem mund të jetë vetëm mënyra sesi janë siguruar këto të dhëna dhe nëse kanë dalë nga ndonjë institucion që ka si detyrë kryesore ruajtjen e tyre.

“Rasti i quajtur i patronazhistëve për mua defektin e ka te përdorimin i të dhënave personale, tek mënyra sesi i kanë marrë apo ku i kanë marrë. Patronazhisti është në koncept një mënyrë e organizimit partiak që e ka dhe PD dhe çdo parti. Ashtu punohet dhe në PD. Kështu e kemi bërë dhe ne. Si organizim partiak është i njëjti, burimi nga i kanë marrë të dhënat është problem.

Nëse të dhënat janë gjeneruar nga institucione është e padrejtë. Partitë në fushata kështu veprojnë, kështu kemi vepruar dhe ne. Në terren operojnë seksionet. Ajo që iu kërkohet seksioneve është dosja e votuesve. Ata krehin terrenin dhe shohin kush janë të PD, kush jo, me kë duhet punuar. Telefonimi i votuesve të vetë është detyra kryesore e seksioneve”, u shpreh Ristani.

Zgjedhjet për kryetar të PD, Kalemaj: Ka garë, por mund të gjejmë plot difekte

Politilogu Ilir Kalemaj deklaroi në Absolut 4 se kandidatët për kryetarë të PD janë figura të spikatura të kësaj force politike ndaj nuk mund të thotë dikush që nuk ka garë.

Megjithatë sipas Kalemaj në të mund të gjejmë plot defekte që kanë të bëjnë me demokracinë e brendshme të një partie politike por edhe me mungesën e filtrit të qarkullimit të elitave.

“Gara e tanishme sido që të jetë ka katër kandidatë, mund të bëjmë debat nga mëngjesi në darkë për kandidatët që u skualifikuan, a mund të ishte pjesëmarrje më e madhe e kandidatëve, apo kohë më e mjaftueshme po realiteti është që janë 4 kandidatë, figura të spikatura të PD. Disa prej tyre kanë qenë kritike konsekutive si zonja Harxhi. Por kemi rishtarë si Kadilli apo Shehaj që deri sot nuk ka pasur ndonjë kritikë të veçantë ndaj zotit Basha. Por ndoshta I nxitur nga suksesi personal elektoral e ka parë si moment të duhur për të lançaur kandidaturën e tij.

Flasim për anëtarë kryesie, deputetë, anëtarë të Këshillit Kombëtar, flasim për figura të spikatura brenda PD dhe nuk mund të thotë njeri që nuk është garë. Pastaj a është garë në kushte të barabarta apo jo, natyrisht që në kushtet e Shqipërisë do gjejmë plot difekte që nuk kanë të bëjnë vetëm me demokracinë e brendshme të një partie politike por kanë të bëjnë edhe mungesën e filtrit të qarkullimit të elitave.”, u shpreh Kalemaj.

A ka një presion nga SHBA për të parë të ndarë Berishën me PD? Reagon Ristani

Arben Ristani komentoi në Absolut 4 dhe vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të shpallur “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha.

Sipas ish-kryeministrit, vendimi i SHBA është një marrëdhënie me individin, por nuk ka detaje të tjera.

“Deklarimi i të qënit i padëshirueshëm nga SHBA është ndaj një individi dhe në këtë rast është Sali Berisha. Kjo është një marrëdhënie me individin. Ata mund të mendojnë se kanë të dhëna për korrupsion. Por në këtë moment askush nuk di më tepër. Ata nuk kanë detyrim të tregojnë më tepër. Nuk mund ta komentoj deklarimin e SHBA. Sigurisht që është një marrëdhënie me z.Berisha. PD e ka liderin historik, ka qenë në pushtet për 12 vjet me të. Nën drejtimin e tij ka arritje të mëdha në infrastrukturën e vendit, anëtarësimin në NATO, heqjen e vizave. Sigurisht që ka të meta apo gabime. Të gjithë janë të keqardhur për atë që ndodhi. Z.Berisha ka nisur një rrugë për ta zgjidhur dhe shpresoj që ta zgjidhi”, tha Ristani.

“Basha i vë shkopinj nën rrota procesit në PD”, Ristani: Demokratëve u ka ardhur “në majë të hundës” me këtë mënyrë drejtimi

“Më vjen shumë keq që do të vuajmë edhe 4 vjet të tjera në opozitë, por shpresoj që kjo garë të zgjidhë diçka në PD. Më vjen shumë keq që Basha nuk u la kohë që demokratët të përballen me këto platforma të reja. Nga ana tjetër, Basha i vë dhe shkopinj nën rrota këtij procesi dhe zvogëlohet si lider, futet në një kuti shkrepëse”.

Kështu u shpreh në “Absolut 4” Arben Ristani, ish-sekretar i përgjithshëm në PD, teksa komentoi garën për kryetar në partinë ku ai bën pjesë në zgjedhjet e 13 qershorit.

Më tej, Ristani theksoi se demokratëve u ka ardhur në “majë të hundës” me mënyrën e drejtimit nga Basha.

“Nuk diskutohet fare që gara do të jetë reale, që do të ketë votë kundër Bashës nuk diskutohet, e ndjej nga demokratët, të cilëve u ka ardhur në majë të hundës me këtë mënyrë drejtimi të Bashës. Kryetari në detyrë ka shumë prioritet dhe gara është pabarabartë, por nga ana tjetër besoj shumë dhe te moraliteti i kandidatëve që vijnë të panjollosur dhe me programe”, u shpreh Ristani.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli