Caktohet data: Biden dhe Putin do të takohen në Gjenevë

Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai rus, Vladimir Putin do të takohen në Gjenevë të Zvicrës më 16 qershor, tha Shtëpia e Bardhë. Ky do të jetë takimi i parë mes udhëheqësve të dy superfuqive të botës, që do të mbahet në të njëjtin vend ku u zhvillua edhe samiti i vitit 1985 mes Ronald Reagan dhe liderit sovjetik, Mikhail Gorbachev.

Para vendosjes së datës dhe vendit të takimit, këshilltarët e sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mbajtën bisedime për një sërë çështjesh, me fokus të veçantë te stabiliteti strategjik.

Palët konfirmuan se normalizimi i marrëdhënieve do të ishte në interes të të dyja vendeve. Në qershor, kur është planifikuar takimi, Biden do të ndodhet gjithashtu në Britaninë e Madhe, për Samitin e G7-s.